As Sveçla dhe as Sindikata nuk e vizituan policin e plagosur në përleshje me hajnat në Suharekë

Më 22 nëntor 2023 ka ndodhur një grabitje e armatosur në Suharekë, ku të dyshuarit gjatë grabitjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë. Në këtë përleshje të armatosur ka mbetur i plagosur edhe një zyrtar policor.

Mbi dy javë ka qëndruar zyrtari policor i plagosur në QKUK, ndërsa para tri katër ditësh është liruar për në shtëpi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk ka gjetur kohë që të vizitojë pjesëtarin që pësoi në aksion, anise i njëjti kohë pas kohë defilon në pikat kufitare me njësitë elitare të policisë.

Demokracia.com ka mësuar se zyrtari policor nuk është vizituar as nga institucioni që i mbron të drejtat e tyre, Sindikata e Policisë së Kosovës.

Gjatë ditës së sotme, Demokracia.com ka provuar të marrë një qëndrim nga kreu i sindikatës, por nuk ka arritur.

Një i vrarë dhe shtatë të arrestuar ka qenë bilanci i aksionit të policisë që ndërlidhet me grabitjen e armatosur në një argjendari në Suharekë.

Në këtë aksion, gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur një polic. Policia është në kërkim edhe të një personi tjetër, i cili është i përfshirë në këtë rast.

Aksioni që nisi mesditën e së enjtes në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, zgjati disa orë.

Policia ka njoftuar se pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së dëshmive në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë, është realizuar operacioni policor që ka përfshirë kontrollin në shtatë lokacione të ndryshme, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar.

Gjatë aksionit kishte shkëmbim zjarri të personave të dyshuar me Policinë.

“Gjatë zhvillimit të operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor, duke ua rrezikuar drejtpërdrejtë jetën atyre, me çrast është plagosur një zyrtar policor. Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani, numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, kishte bërë të ditur Policia e Kosovës.

Policia tha se personat e dyshuar kanë të kaluar kriminale, me dyshimet e bazuara për përfshirje në vepra penale, si vrasje, grabitje, vjedhje e rëndë, sulm, kanosje, lëndim trupor, detyrim, armëmbajtje pa leje, etj.

Lidhur me grabitjen e 22 nëntorit në një argjendari në Suharekë është arrestuar edhe pronari argjendarisë “Buraku” në Prishtinë. Aksioni është kryer nga katër zyrtarë policorë, të cilët kanë larguar klientët që ndodheshin në lokal dhe pastaj kanë arrestuar pronarin. Më pas është mbyllur edhe argjendaria.

Kujtojmë se më 22 nëntor kishte ndodhur një plaçkitje e armatosur në një argjendari në qytetin e Suharekës. Në tentativën për ta parandaluar plaçkitjen është plagosur një polic i Kosovës në këmbë.

Nga ky incident, përveç një polici të plagosur kishte mbetur edhe një tjetër i lënduar.

Të nesërmen, tre të dyshuar janë arrestuar. Dy prej tyre, Gjykata e Prizrenit u ka vendosur një muaj paraburgim, deri sa një tjetër është liruar.

Të dy të paraburgosurit, Albin Beqiri dhe Fatmir Tahiri, dyshohen për ndihmë në kryerjen e grabitjes së armatosur. Ata pas arrestimit janë dërguar në paraburgosje në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz.Demokracia

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *