Mban punëtore pa licencë si doktoreshë e dhëmbëve- Inspektorati Shëndetësor ka dy vjet që nuk e ka inspektuar ordinancën “Dent-Line”

Nëpërmjet një hulumtimi ekskluziv nga Gazeta Neutral, u zbulua se në ordinancën stomatologjike “Dent Line” e cila operon në Prishtinë, ka të punësuar një punëtore e cila kryen detyrën e stomatologes pa qenë e licencuar nga institucionet shëndetësore të Kosovës.

Burimet e Gazetës Neutral bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Gentiana Musa, ku në emër të saj, ordinanca pranon edhe termine nga pacientët për të kryer shërbime stomatologjike.

Në lidhje me këtë rast, Gazeta Neutral ka pyetur Inspektoratin Shëndetësor të cilët kanë deklaruar se “nuk kanë qenë të informuar” rreth rastit në ordinancën “Dent Line”.

Në një përgjigje për Neutral, Inspektorati Shëndetësor deklaron se ka dy vjet që nuk e kanë kryer inspektime në këtë ordinancë.

“Inspektorati Shëndetësor ka inspektuar institucionin  IPSH”Dent Line” në Prishtinë me datë 21.01.2022 dhe 06.04.2022”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa, deklarojnë se “Inspektorati Shëndetësor do të kryej inspektim për të verifikuar rastin në fjalë”.

Përmes një inskenimi në rolin e pacientit, Neutral ka kontaktuar në numrin zyrtar të ordinancës “Dent Line” për të siguruar një termin për të kryer kontrollë stomatologjike tek “doktoresha”, Musa.

Nga kjo ordinancë kanë konfirmuar se pranojnë termin tek Musa.

Leja dhe licencimi bëhet nga Bordi për Regjistrim dhe Licencim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe monitorohet nga Inspektorati Shëndetësor.

Në bazë të Udhëzimit Administrativ, institucionet shëndetësore që kanë të punësuar profesionistë shëndetësorë pa licencë gjobiten mijëra euro.

Mjeku ose ndonjë profesionist tjetër shëndetësor që punon pa licencë mund të po ashtu me mijëra euro.

Në Inspektoratin Shëndetësor punojnë gjithsejtë 13 zyrtarë: kryeinspektori, asistenti ekzekutiv, zyrtari i arkivit dhe dhjetë inspektorë shëndetësorë.

Kosova, viteve të fundit, është duke u përballur me mungesë mjekësh dhe infermierësh, pasi një numër i tyre ka migruar kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *