Qeveria e Kosovës ka bërë lansimin e zgjerimit të platformës “Superpuna”. Kryeministri i Republikës, Albin Kurti tha se kjo platformë ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në punësimin e 9034 të rejave dhe të rinjve.
Si rrjedhojë, ekzekutivi ka vendosur që tashmë ta zgjerojë këtë platformë, ku tani grupmosha përfituese do të jetë nga 18 deri 29 vjeç.
Kurti tha se “punë dhe drejtësi është togfjalëshi që është dëgjuar më së shumti në paraqitjet tona publike”.
“Kjo platformë për bizneset e bëri më të lehtë angazhimin e punëtorëve pasi garantoi subvencionimin e pagës me vlerë prej 264 euro për gjashtë muaj me radhë. Ndërkaq punëtorëve, një grupi prej tyre, ua garantoi punën e parë, ndërkaq një grupi tjetër ua garantoi një punë afatgjatë dhe të dinjitetshme”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se nga grupmoshat nga 18 deri në 25 vjeç që mund të ndërmjetësoheshin nga platforma ‘Superpuna’, tashmë do të zgjerohet grupmosha e përfituesve nga 18 deri në 29-vjeç.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë që në fillim të lansimit të platformës “Superpuna” synimi ka qenë mbështetja e punësimit për 10 mijë të rinj. Ndërkaq sipas tij, tashmë ka dyfishim të të punësuarve nën moshën 25 vjeçare.
“Kanë qenë 29 mijë të rinj që kanë qenë duke punuar nën moshën 25 vjeçare. Ndërkaq tash i kemi rreth 62 të rinj e të reja që janë në marrëdhënie pune. Duke parë suksesin për grupmoshën e parë ka qenë patjetër i nevojshëm zgjerimi i moshës”, ka deklaruar ai.
Deri më tani janë 10 mijë biznese të regjistruara në platformën “Superpuna” që po presin të punësojnë, ndërkaq janë 18 mijë të rinj që kanë hapur llogari në kërkim të punës.