Ka përfunduar pas tri orësh intervistimi i Naim Murselit, i dyshuar për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Këtë e ka konfirmuar avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, e cila ka theksuar se Murseli ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes.
“Sot para Prokurorisë Themelore- departamenti për Krime te Renda, në cilësinë e të pandehurit është dëgjuar i pandehuri Naim Murseli, dyshimi i bazuar është i orientuar në drejtim të veprës penale ‘Vrasje e Rëndë’ në bashkëkryerje nga neni 173 par 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe i pandehuri ka rrëfyer versionin e vet të mbrojtjes dhe mbrojtja e tij lidhur me ngjarjen është tërësisht ndryshe nga ajo që është publikuar në rrjetet e informimit dhe ato sociale.
Në të ardhmen kanë mbetur të dëgjohen edhe dëshmitarët e tjerë dhe pas dëgjimit të tyre do t’ju informojmë lidhur me rrjedhën e procedurës dhe përmbajtjen e deponimeve të tyre”, ka thënë Zhinipotoku.
Murselit dhe dy të tjerët, Granit Plava dhe Kushtroim Kokalla, gjenden në masën e paraburgimit nën dyshimet për vrasjen e Liridona Ademajt.
Murseli, për shkak të veprës penale, vrasje e rëndë në bashkëkryerje, Plava për veprën penale, vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe Kokalla për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.
Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor të viti të kaluar në Prishtinë.