Më 1 dhjetor skadon afati për regjistrimin e veturave të cilat kanë targa ilegale në targa legale, RKS dhe se i njëjti nuk pritet të shtyhet sërish.
Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi, e cila tha se një shtyrje tjetër e afatit nuk po konsiderohet e nevojshme.
Një shtyrje tjetër e afatit për regjistrimin e veturave të cilat kanë pasur targa ilegale e për t’i kthyer ato në RKS nuk po konsiderohet i nevojshëm, pasi deri sot janë 3 mijë e 666 vetura të cilat i kanë konvertuar tabelat nga ato ilegale në RKS”, tha Fetoshi.
Ndërsa, pas skadimit të afatit për konvertimin e targave nga ato ilegale në legale, Fetoshi tha se kudo që do të hasen vetura me targa të tilla ilegale, targat do të konfiskohen.
“Pas datës kudo që ka vetura me targa ilegale në territorin e Kosvoës, vetura ndalohet dhe tabelat do të konfiskohen, pastaj qytetari ka të drejtë ta kthejë veturën deri te vendbanimi. Nëse e njëjta veturë përsëri haset në qarkullim, policia ia konfiskon veturën”, tha Fetoshi.
Tutje, Fetoshi bëri të ditur se të mërkurën dhe të enjten në Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë Jugore dhe Mitrovicë e Veriut do të ofrohen shërbime me orar të zgjatur deri në orën 18:00.
“Të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që edhe kompanitë sigurimit, qendrat e kontrollit teknik, dhe shërbimet e postes, për këto data, përkatësisht 29.11 dhe 30.11 të ofrojnë shërbime për qytetarët deri në orën 18:00”, tha ajo.