“Serbët mund të aplikojnë për pasaporta të Kosovës dhe të lëvizin pa viza”

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, ka reaguar lidhur me propozimin e Komisionit Evropian, për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët serbë në Kosovë, që bartin pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.

Bislimi tha se ky propozim u bë pa u konsultuar me Qeverinë e Kosovës.

“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme. Njohja e këtyre dokumenteve, minon integrimin e komunitetit serb, duke dëmtuar përpjekjet tona në të cilat jemi angazhuar bashkarisht prej vitesh”, tha Bislimi.

Ai shtoi se komuniteti serb në Kosovë, nuk ka mbetur pa liberalizim të vizave, pasi ata mund të pajisen me pasaporta të rregullta të lëshuara nga Kosova të cilat mundësojnë udhëtimin pa viza.

“Qeveria jonë tashmë ka vënë në praktikë një procedurë të përshpejtuar për pajisjen e të gjithë serbëve të Kosovës me pasaporta. Së fundmi, është parë dhe një interes i lartë e rritje të numrave të qytetarëve që janë pajisur me pasaporta të Kosovës. Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje prej 29%”, theksoi ai.

Numri dy i ekzekutivit shtoi se institucionet e Kosovës mbetet të përkushtuar që të sigurohen që të gjitha komunitetet në Kosovë të mund të gëzojnë udhëtimin pa viza me pasaportat e Kosovës.

“Këtë kundërshtim në lidhje me propozimin e kemi adresuar drejt instancave më të larta të BE-së. I bëjmë thirrje BE-së që të rishqyrtojë këtë propozim, i cili përmban shkelje të shumëfishta”, shtoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *