Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier ka thënë se draftstatuti i ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe i propozuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, ai ka thënë se fjalën e fundit do ta japë Gjykata Kushtetuese.
“Ne besojmë që ky draftstatut që i është ofruar Qeverisë së Kosovës përmbush kriteret, përkatësisht është konsistent me institucionet. Por, e vetmja mënyrë për ta vërtetuar nëse është konsistent është Gjykata Kushtetuese. Ashtu siç e ka thënë kryeministri Kurti në Kuvend, statuti do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo mund ta bëjë vlerësimin dhe ta japë vendimin”, ka theksuar Hovenier në një konferencë për media.
Ai ka thënë se draftstatuti i ri nuk është sekret dhe se do të caktohet koha kur do të bëhet publik. Tutje ka përkujtuar pozicionin e shteteve evropiane si Gjermania, Franca e Italia përballë këtij dokumenti.
“Publiku do ta ketë rastin të ketë qasje në draftstatut, ajo kohë do të përcaktohet nga Qeveria dhe Miroslav Lajçak. Ndërkaq sa i përket kohës, nëse e lexoni deklarimin e kancelarit gjerman, presidentit të Francës, kryeministres së Italisë, këta tre liderë të tri shtete të vjetra të Evropës janë duke u përfshirë direkt në proces, në mënyrë që Kosova të ecë përpara në BE dhe drejt normalizimit të marrëveshjes me Serbinë “, ka theksuar Hovenier.
Ambasadori amerikan ka potencuar se nuk pret vetëm pranimin e këtij dokumenti, por edhe implementimin konkret të tij.
“Nuk ka asnjë arsye që Qeveria e Kosovës mos të ec para me këtë draft statut. Kryeministri e ka bërë me dije gatishmërinë e tij për të pranuar tërësinë e këtij dokumenti javë më parë. Ne jemi duke punuar që ta shohim të kryer si element të strategjisë sonë”, ka thënë tutje Hovenier.
Ai ka thënë se SHBA vazhdon të besojë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jenë konform institucioneve të Kosovës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.