Vdekja e truprojës së Hashim Thaçit, postimi prekës i Ismail Sylës

Ismail Syla, ish-këshilltar i Hashim Thaçit, ia ka kushtuar një poezi Ilir Çallapekut, truprojës së ish-presidentit.

Çallapeku, një ish-luftëtar i UÇK-së dhe truprojë i ish presidentit Thaçi, vdiq të hënën pas një sulmi në zemër.

Me rastin e vdekjes së tij, Syla ia kushtoi një poezi luftëtarit të ndjerë të UÇK-së.

Postimi i plotë i Ismail Sylës:

Më pikëlloi lajmi për vdekjen e Ilir Çallapekkut

SI DO T’IA PLOTËSOJA FLETËAPLIKACIONIN VETERANIT E LUFTËTARIT TË UÇK-së, ILIR ÇALLAPEKU

Ai është nisur të luftojë për lirinë e Atdheut
Me një armë, një shpirt, një jetë dhe shumë ëndrra
Ta vras mjegullën, terrin, vajin dhe mjerimin.
Në rrugën e jetës së tij i ndihmon një vetëtimë
E shkrepur në fëmijërinë e hershme, një ag vjeshte
Maja e shënjestrës që lëviz visoreve të vendlindjes.
Plumbit të pushkës përballë tanksit të egër serb
Ia mbështjell një pëlhurëz të lehtë ëndrre, dhe nis
Gjithë divizionet e yjeve të rënë shekujve për liri.
Po të vritej në hapin e ecjes drejt lirisë së pritur
Ai do të mbillej në tokën e tij si një metaforë në epope
Por mbeti gjallë dhe nga dritarja e kundron pranverën.
Dhe gjithmonë duket si një njeri i thjeshtë, i lagur
Nga shiu i vjeshtës. Lodhur nga pesha e armëve
Trupin ia ripërtërin gjumi i ëmbël i ëndrrës së mirë.
Ai lëviz nëpër tokën mijëvjeçare dhe me çdo hap
Drejtshkruan Gramatikën e Lirisë në tokë dhe në qiell
Deri në çastin e shkëputjes së shpirtit nga trupi.
Lëngu i mollës së egër ia përtërin trupin e limontisur
I bëhet trimëri dhe kur uji i krojeve dhe hovi i përrenjve
Mezi shuajnë etjen e stërdjegur të tokës për liri.
Ai është gjithmonë i tillë. Një peizazh i vendlindjes
I bëhet mburojë, për një rrënjë shkoze të atdheut jep shpirt,
Për buzëqeshjen e pas dhjetë vjetëve të nipave të fisit.
Ai ecën me krenarinë e vetmuar drejt agut të panjohur
Peizazhi i vendlindjes i bëhet arma më e mirë në botë
Dhe si ajrin përreth trupit, e ndien ëndrrën dhe lirinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *