Nëse jeni punëtor i ndërtimtarisë, Melburni i Australisë është njëri ndër vendet më të mira në botë për të punuar. Sidoqoftë, më shumë se në këtë qytet, punëtorët e këtij sektori paguhen në dy qytete zvicerane dhe në disa qytete të Shteteve të Bashkuara.
Melburni është zgjedhur vendi me pagesën më të lartë për një orë punë në sektorin e ndërtimtarisë në Australi me 124 dollarë orën, duke e zënë vendin e shtatë në botë.
Më shumë se në Melburn, punëtorët e ndërtimtarisë paguhen vetëm në katër qytete amerikane dhe dy zvicerane, shkruan “Daily Mail”.
Burime të larta të sektorit të ndërtimtarisë thanë se kjo shifër tregon se pse ndërtimi i infrastrukturës është aq i kushtueshëm në rajonin Viktoria.
Unioni i Punëtorëve të Australisë tha se fakti që shkalla e pagesës në ndërtimtari është më e lartë në Viktoria se në pjesën tjetër të Australisë dhe në pjesën më të madhe të botës duhet të konsiderohet si simbol nderi.
Nëse një punëtor ndërtimtarie në Vikoria punon mesatarisht 38 orë në javë, ai paguhet 243.000 dollarë në vit.
Shifrat u publikuan në një sondazh të kompanisë së ndërtimit, “Turner and Townsend”, ku u vlerësuan kushtet e tregut të punëtorëve në 88 tregje në pjesë të ndryshme të botës.
Në vendin e parë doli Gjeneva, me pagesë mesatare prej 175.5 dollarësh për një orë punë, ndërsa në vendin e dytë ishte gjithashtu një qytet zviceran, Cyrihu, me mesatare prej 174.5 dollarësh për një orë punë.
Në vendin e tretë ishte San Franciskoja i Shteteve të Bashkuara me 172.82 dollarë për një orë punë. Vendi i katërt është për Nju Jorkun, ku punëtorët e ndërtimtarisë paguhen mesatarisht nga 169.48 dollarë në orë. Bostoni është i pesti me pagesë 163.55 dollarë në orë, ndërsa i gjashti Los Angelesi me 134.64 dollarë orën.
Për shkak të pagave të larta të punëtorëve të ndërtimtarisë, kompanitë australiane po mundohen që të marrin punëtorë nga vendet e tjera.
Një punëtor ndërtimtarie nga Zelanda e Re pretendoi se punëtorët e këtij vendi po kërkohen në Australi duke u premtuar biletë aeroplani, një vit banim falas dhe pagesë e dyfishtë në krahasim me pagën e tyre aktuale.