Mitralozat, raketahedhësit dhe mortajat, kallashnikov e lloje të tjera të armatimit u gjetën e konfiskuan grupit terroritst në fshatin Banjskë të Zveçanit. Këtij grupi i dështoi plani dhe armatimi tashmë ka mbetur të analizohet. Ekspertë të huaj, amerikanë e britanikë, kanë analizuar armatimin që kishte grupi që udhëhiqej nga kryekrimineli, Millan Radojiçiq.
Ekspertët e vendor e të huaj kanë analizuar armatimin që kishte grupi terrorist në pronësi të tyre. Sipas tyre, armatimi ishte i rëndë dhe mund të shkaktonte dëme të mëdha ndaj policisë së Kosovës.
Për një ekspertin britanik dhe njohësi e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Ëestminster, Aidan Hehir, ka ngritur edhe një shqetësim tjetër rreth mjeteve ushtarake me të cilat janë stërvitur grupi terrorist në Serbi.
Ai ka komentuar pamjet që i publikoi të dielën Policia e Kosovës, ku shihen terroristët serb duke u stërvitur në Serbi.
Ai ka thënë se duket që makinat janë “Humvee” amerikanë me të cilat sipas tij, janë trajnuar terroristët.
Profesori britanik ka thënë se Departamenti amerikan i Mbrojtjes nuk duhet të jetë i lumtur që Serbia i ka përdorur këto mjete e dhëna donacion për të stërvitur terroristët.
“Makinat duken sikur ‘Humvee’ amerikanë. Sigurisht, Departamenti i Mbrojtjes nuk do të jetë i lumtur që Serbia i ka përdorur për t’i trajnuar terroristët makinat që iu dhanë donacion nga SHBA? Vuçiq ka shumë për të shpjeguar.” – ka shkruar ai në rrjetin social “X”.
Ndërsa, ish-koloneli amerikan, Gian Gentil në një deklarim për Radio Evropa e Lirë, ka analizuar armatimin e grupit të Milan Radojiçiqit.
Ai ka thënë se grupi kriminal me këtë armatim që është kapur kanë mundur të shkaktojnë dëme të mëdha ndaj forcave policore të Kosovës.
Tutje ai ka thënë se armatim të tillë nuk kanë as policët në SHBA, por kanë luftëtarët rusë e ukrainas.
“Armët që m’i treguat në fotografitë në atë link, ata do të shkatërronin një forcë policore të armatosur lehtë me vetëm pistoleta dhe ndoshta disa pushkë.” – ka thënë ai.
Më tej, ai ka thënë se grupi ka pasur armatimi për një këmbësori prej 130 ushtarësh.
Në ndërkohë, edhe disa ditë pas sulmit, Policia e Kosovës ka gjetur sasi të tjera të armatimit që kishte lënë prapa grupi terrorist nga ikja e tyre për në Serbië.
Gjithashtu, Policia e Kosovës ka publikuar e prezantuar gjithë armatimin që është gjetur në Banjskë.
Sipas, Qeverisë së Kosovës, vlera e armatimit që kishte grupi kriminal terrorist kap vlerën e rreth 5 milionë eurove.
“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Janë përfshirë individ të sanksionuar nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar. Janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqën në krah e përkrah presidentit të Serbisë, duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejt të shtetit serb në këtë mes”- ka thënë kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkohë, të dielën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe kryepolici, Gazmend Hoxha, kanë publikuar edhe pamje të reja të terroristëve serbë.
Në këto pamje, shihen stërvitjet e tyre në baza ushtarake në Serbi dhe në pronat e kryekriminelit serb, Milan Radojiçiq.
Kujtojmë se më 24 shtator në fshatin Banjskë Policia e Kosovës u sulmua rëndë nga grupi terrorist.
Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë, ndërsa nga ana e terroristëve u vranë tre.