Autopsia e trupave të sulmuesve të vrarë në Banjskë të Zveçanit është kryer mirëpo ata nuk do të iu dorëzohen familjarëve pa u bërë identifikimi shkencor i tyre.
Kjo është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga specialist i Mjekësisë Ligjore, Naim Uka.
“Po, ka përfundu pardje. Procedurat e autopsisë janë kry. Trupat nuk iu dorëzohen familjarëve pa u bë identifikimi shkencor. Trupat janë në morg dhe janë procedura standarde që nuk lejohen pa u identifiku”, tha Uka.
Uka tha se ndër metodat e verifikimit është përmes gjurmëve të gishtërinjve, por në rast që ky identifikim nuk mund të bëhet atëherë do të vazhdohet me procedurën e identifikimit përmes ADN-së.
“Është një procedurë që Policia mundet me e kry, por është edhe një procedurë tjetër që mundet me u kry përmes ADN-së. Kjo varet prej Policisë dhe nuk e di deri sa të kryhet. Nëse kjo nuk mundet me u kry përmes gjurmëve të gishtave, atëherë vazhdohet me këtë të ADN-së. Verifikimi për procedurën e gishtave bëhet nga Njësia Forenzike për procedurën e gishtave”, tha Uka.
Ndërsa, burime të “Betimi për Drejtësi” kanë treguar se trupat e sulmuesve, zyrtarisht nuk janë identifikuar, mirëpo ka familjarë të cilët janë paraqitur që t’i marrin ata.
Të njëjtat burime thonë se është duke u zhvilluar presion politik nga Serbia që trupat të merren sa më shpejtë.
Aksioni në Bajsnkë të Zveçanit kishte nisur në orët e hershme të së dielës ku ishte vrarë një polic e plagosur dy të tjerë. Pastaj, Policia kishte vrarë tre të dyshuar ndërsa sulmuesit tjerë kishin arritur të largoheshin pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Ky aksion është cilësuar si terrorist nga Policia e Kosovës, ambasadorët dhe nga BE-ja.