Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për Kosovën.
Ai ka thënë se insistimi i kryeministrit shqiptar për shtimin e trupave të KFOR-it në veri të Kosovës është kundër interesave të Republikës së Kosovës.
Në një konferencë për media, Berisha ka thënë se të njëjtën kërkesë e ka edhe Beogradi.
“Edi Rama në sintoni me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç përsëriti në Tiranës tezat e padronit dhe shtoi në këtë mënyrë akuzat ndaj Kosovës, udhëheqjes së saj në problematikën e marrëveshjes midis Prishtinës dhe Beogradit. Edi Rama kërkoi sot fjalë për fjalë, siç kërkoi Beogradi, dhe mashtroi shqiptarët dhe publikun se gjoja ka kërkuar Prishtina që në komunat e veriut të Kosovës të vendoset KFOR-i. Njesitë ushtarake të KFOR-it, si njesi të NATO-s kanë përgjegjësi ndërkombëtare për garantimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe mbrojtjen e saj. Qeveria e Kosovës në radhë të parë, dhe partnerët ndërkombëtarë nuk janë dakord as me padronin e Edi Ramës, Vuçiç, as edhe argatin e tij në Tiranë”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, kërkesa e Ramës është djallëzore.
“Ata mendojnë dhe besojnë se përgjegjëse për sigurinë e rendit në të gjithë territorin e Kosovës është Policia e Kosovës. Ajo është linja e parë në garantimin e rendit dhe luftën kundër kriminalitetit në të gjithë territorin pa përjashtim në asnjë zonë, natyrisht në çdo rast ajo bashkëpunon dhe duhet të bashkëpunojë me me KFOR-in, EULEX-in sa herë që t’i paraqitet nevoja. Por kërkesa e Edi Ramës me porosi të Aleksandër Vuçiç që komunat në veri të Kosovës me shumicë serbe të vendosen nën kontrollin e KFOR-it është një kërkesë djallëzore, e cila nuk ka qëllim tjetër, përveç indirekt për të dalë tek ndarja e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë”, është shprehur ai, duke e dënuar deklaratën e Ramës.
“Këtë projekt Edi Rama për veriun e komunave të Kosovës e mbrojti vite të tëra me shkëmbim territoresh. Por ky projekt ka dështuar, është arkivuar njëherë e mirë. Ndaj edhe dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qendrim të Edi Ramës që shkon fund e krye në përputhje me kërkesat e Beogradit”, ka thënë lideri demokrat.