“PBB-ja me çmime aktuale në vitin 2022 ishte 8.94 miliardë euro. Derisa, rritja reale në vitin 2022 ishte 5.2 për qind, krahasuar me vitin 2021. PBB për kokë banori për vitin 2022 ishte 5,037 euro”, thuhet nga ASK-ja.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) gjatë vitit 2022 ka arritur në 8.94 miliardë euro, ku për kokë banori është 5,037 euro, thuhet në raportin “Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) me qasjen e shpenzimeve dhe të prodhimit, 2008-2022“, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas ASK-së, rritja reale e PBB-së për këtë vit, krahasuar me vitin 2020, ishte 5.2 për qind.
Në këtë raport theksohet se tregtia ishe sektori me rritjen reale më të madhe ekonomike.
“Tregtia me shumicë dhe pakicë me 10.8 për qind, informim dhe komunikim me 9.2 për qind, aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 7 për qind, aktivitete administrative dhe mbështetëse me 6.7 për qind, aktivitete financiare dhe të sigurimit me 6.4 për qind, industria përpunuese me 5.6 për qind, transporti dhe magazinimi me 5.4 për qind, art, zbavitje dhe rekreacion me 4.7 për qind”, theksohet në raport.
“Bujqësia, gjuetia, pylltaria dhe peshkimi me 4.5 për qind, patundshmëria me 4.1 për qind, hotelet dhe restorantet me 3.7 për qind, shëndetësia dhe aktivitetet e punës sociale me 3.6 për qind, edukimi me 3.2 për qind, furnizimi me ujë me 3 për qind, industria nxjerrëse me 2.9 për qind, shërbimet e tjera me 2.6 për qind dhe furnizimi me energji elektrike e gaz me 1.4 për qind”, vijon ASK-ja.
Ndërsa, rënie kishte në ndërtimtari me 3.1 për qind, administrim publik dhe sigurim i detyrueshëm social me 0.5 për qind.
Në anën tjetër, rritje reale sipas komponentëve kryesorë të PBB-së me qasjen e shpenzimeve për vitin 2022 ishte importi i shërbimeve me 21.3 për qind, eksporti i shërbimeve me 20 për qind, eksporti i mallrave me 16.1 për qind, shpenzimet e konsumit final me 4 për qind, importi i mallrave me 2.2 për qind dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 0.2 për qind. Në fund, aty thuhet se rënie kishte te ndryshimet në inventar me 10.6 për qind dhe formimi i kapitalit bruto.