Gazeta Sinjali mbrëmë ka raportuar ekskluzivisht për një rast të grabitjes, që ndodhi në qendër të qytetit të Prizrenit, ku një shtetas japonez është grabitur nën kërcënimin e thikës nga tre persona të dyshuar.
Njëri prej tyre ka rënë dje në prangat e Policisë, teksa tashmë është arrestuar edhe i dyshuari tjetër. Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se i arrestuari i dytë është djali 15-vjeçar i Arsim Thaçit, zyrtarit policor të Krimeve Ekonomike në Drejtorinë Rajonale të Prizrenit.
I mituri pas arrestimit, është intervistuar në prezencë të babait të tij, hetuesit Thaçi dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 24 orë.
Gazeta Sinjali sot ka publikuar pamjet ekskluzive nga momenti i grabitjes, teksa shihen tre persona duke ecur në një drejtim, pas një kohe të shkurtër, takohen me viktimën dhe njëri prej tyre i lidh duart, ndërsa tjetri e kërcënon me thikë.
Çka i grabitën tre të dyshuarit shtetasit japonez dhe si ndodhi ngjarja?
Burimet thonë se gjithçka ndodhi në pikë të ditës, derisa viktima, 41-vjeçar po kalonte rrugën, kur papritmas i dolën përpara të dyshuarit. Përveç që e terrorizuan me veprime agresive, Sinjali mëson se ata nxorën edhe disa thika.
Nën kërcënimin e tyre, tre hajnat arritën t’ia marrin me forcë portofolion, në të cilin kishte një shumë të parave të gatshme dhe disa kartela bankare.
Përveç që e kanosën seriozisht, të dyshuarit edhe i përdorën mjetet e mprehta, duke i shkaktuar lëndime trupore 41-vjeçarit, që i pësoi gjatë përballjes me ta.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.