Përfundon dëshminë dëshmitari i pestë në gjykimin e Pjetër Shalës

Dëshmitari i pestë në procesin gjyqësor të Pjetër Shalës ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai në këtë seancë i sqaroi disa deklarata të veta, pas pyetjeve të gjyqtarëve.

Dëshmitari i pestë në rastin e Pjetër Shalës deklaroi se në ndërtesën e fabrikës së metalit në Kukës, silleshin njerëz, sipas tij, si të dyshuar se punonin për serbët.

Kur u pyet nga gjykatësja nëse personat i kishin duart e lidhura, dëshmitari tha se nuk ishte shumë i sigurt për këtë gjë.

Ai deklaroi se kishte mundësi që personat që silleshin aty, i kishin duart e lidhura.

“Me makinë që i kanë sjellë është mundësia që i kanë pasur të lidhura, por aty te ndërtesa numër një nuk i kanë pasur të lidhura… Ndoshta i kanë pasur të lidhura se nuk i sillnin menjëherë këtu, se njëherë i dërgonin në zyrë të komandantit”, u shpreh dëshmitari i pestë.

Në pyetjen se çfarë prejardhjeje kishin të dyshuarit që dërgoheshin në ndërtesën numër 1, dëshmitari tha se shumica nga ta ishin shqiptarë, por se kishte edhe romë.

I pyetur se çka mendonte të thoshte me deklaratën e dhënë dje se në ndërtesën numër 1 kushtet e përgjithshme ishin të këqija, dëshmitari tha se mendonte për kushtet e dobëta të ushqimit.

“Si për ata, si për ne kanë qenë të njëjta, se kur hanim bukë ne, hanin edhe ata. Ndonjë ditë keq e ndonjë ditë aspak… Ata i kanë pasur kushtet më të këqija se kanë qenë në atë ndërtesë të mbyllur, s’kanë pasur shëtitje hiq”, shtoi ai.

Tani në këtë seancë, pas pauzës, do të vazhdojë deklaratën dëshmitari i gjashtë në rastin e Pjetër Shalës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *