Presioni mbi marrëveshjen/Këshilltarët evropianë: Dështimi i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë do të ketë pasoja

Këshilltarët evropianë, Emanuel Bone, Jens Pletner dhe Francisco Talo, kanë shkruar një editorial për mediumin serb ‘Blic’, duke bërë thirrje që të nënshkruhet marrëveshja evropiane, teksa kanë thënë se e ardhmja e gjashtëshes ballkanike është në Evropë.

“E mirëpresim sinjalin e fortë dhe inkurajues që presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti dërguan nga Brukseli më 27 shkurt kur pranuan tekstin e draftit. Ajo marrëveshje tani duhet të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur me krijimin e një udhërrëfyesi konsistente për zbatimin e saj”, thuhet në opinionin e këshilltarëve evropianë.

“Qëllimi i negociatave kyçe të ardhshme nuk është të komplikojë atë që tashmë është rënë dakord, por më tepër të inkurajojë hapa konkretë drejt realizimit të saj. Ajo që të dyja palët duhet të shmangin është të riinterpretojnë fjalën e dhënë, sepse duke e bërë këtë ata do të shpërdoronin këtë mundësi unike dhe do të rrezikonin të bllokonin rrugën drejt anëtarësimit në BE”, vijon opinioni.

Këshilltarët evropianë kanë bërë thirrje tutje për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, “duke ofruar garanci për nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe”.

“Koha nuk është në anën tonë. Dhe më e rëndësishmja, koha nuk është në favor të Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jemi në nivelin e detyrës dhe përgjegjësisë, të vetëdijshëm për imperativat e momentit të caktuar. Dështimi do të kishte pasoja”.

“Fakti është se kërkon mençuri dhe cilësi udhëheqëse nga të dyja palët, si dhe qasje të përgjegjshme të të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi, por është e realizueshme. Tani është koha e duhur! Si miq të Kosovës dhe si miq të Serbisë, ju premtojmë t’ju mbështesim në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian”, përfundon editoriali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *