Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit ka vendosur të caktojë koeficientin e Ligjit të Pagave për punëtorët e sektorit publik.
Në Kuvendin e Kosovë po mbahet seancë ku po diskutohet për koeficientin. Si shenjë revolte PDK e lëshoi sallën e nga LDK e quajtën zhgënjyes koeficienti.
Por këtyre dy partive, iu përgjigj shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari.
“Me keqardhje i dëgjuam argumentet e paqëndrueshme dhe kauzat e paqena të opozitës në Kuvendit, Sot është një ditë e madhe për gjithë punonjësit e sektorit publik. Koeficienti prej 105 eurosh i miratuar e prezantuar sot është koeficienti bazë. Është hera e parë që në sektorin publik do të kemi unifikim e trajtim të barabartë në secilin sektor,”– ka thënë Kusari – Lila.
Më 22 dhjetor 2022, Ligji për Paga ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, ndërsa më 4 janar ishte dekretuar nga Presidenca.
Pas dekretimit, ky Ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare, e që do të jetë i gatshëm për zbatim brenda 30 ditëve.