Ishte shkurti i vitit 2016, shtatë vjet më parë, kur Albin Kurti si opozitar do t’i thoshte disa fjalë që do ta dridhnin skenën politike të Kosovës. “Shqiptarët s’e duan Amerikën!” – kishte thënë ai për të vazhduar më pas me ankthin e braktisjes. Por, cila është e vërteta e këtyre fjalëve dhe ku e gjejnë Kosovën ato shtatë vjet pas?
Përplasjet aktuale të Kurtit me ShBA-të nuk janë të parat. Ai kishte pasur një histori të gjatë kundërshtimi ndaj ideve apo politikave që Amerika mësynte që t’i shtynte përpara.
Kjo e kishte bërë të rëndësishme mendimin e tij për Amerikën pak më privat, sado pak më privat. Dhe, ai do të fliste pak më privatisht pranë një grupi të vogël njerëzish e ndoshta pa e ditur se po xhirohej, pikërisht për partnerin më të rëndësishëm të Kosovës.
Çka kishte thënë Kurti?
Fillimisht, në video mund të dëgjojmë të tjerë njerëz derisa flasin shkurtimisht por pa e dëgjuar njëri-tjetrin. Dhe, sapo Albin Kurti merr fjalën, të gjithë bëjnë veshtë katër…
“Unë nuk menoj që – prej përvojës qishtu tu folë me njerëz – nuk menoj që shqiptarët i dojnë amerikanët, as Amerikën, unë menoj që shqiptarët ma shumë e kanë një farë ankthi të mundësisë së braktisjes nga Amerika se sa që e dojnë Amerikën.” – nis fjalën e tij Kurti, derisa merr edhe shenjat e para të miratimit.
“Paramendoje një fëmijë në plazh që i ka tri vjet – edhe shkoi nana me ato shoqet – a e din kur hupë në plazh fëmija, fëmija kur hupë në plazh, nuk mendon që ka hupë ai por që e ka lon nana. Ankthi i braktisjes. A po din? Na e kena… këta njerëz, e kanë hallin se mos po na len neve Amerika. Nuk osht që e dojnë, po tuten mos po na len. Nuk osht prej dashnisë. A po kupton?” – përfundon fjala e opozitarit të atëhershëm dhe kryeministrit të sotëm.
Qysh ishte puna?
Fjalëve të Kurtit do t’i kthehemi sërish më poshtë, por fillimisht ta lexojmë atë që na tha xhiruesi i kësaj videoje të famshme, z. Vullnet Krasniqi.
“Ishte një natë para se të mbahej seanca për zgjedhjen e Hashim Thaçit president. VV së bashku me AAK-në dhe Nisma-n kishin vendosur qe dy netë shatora para Qeverisë tek sheshi Skënderbeu, duke protestuar kundër zgjedhjes së Thaçit president – edhe si gazetar e pata mbulu secilën natë me nga një artikull. Ishte mesnatë, dhe në atë kohë zakonisht aktivistët protestues zinin vendet e tyre rreth zjarreve ose bëheshin në grupe. Në njërin prej tyre, më pat ra në vesh zëri i një gruaje që fliste gjysëm shqip dhe ajo dëgjohet edhe në fillim të vidoes duke thënë “I’m sorry Bernie-së!” ose diçka të tillë. Unë shkova në drejtim të grupit, për nga kurreshtja që me dëgju llafe të aktivistëve të diasporës. Derisa sa shkova aty, e kuptova që në këmbë po qëndronte Albini. Biseda e grupit ishte “mbështetja amerikane, ndërkombëtare për proceset që ndodhnin atëherë”, edhe si e kam pa Albinin dhe mënyrën se qysh rrinte gati për t’u kyçur në bisedë, kisha me përshkru gjuhën e tij të trupit si të një personi që e dëgjon një bisedë dhe mendon se i takon atij me e dhënë përfundimin.” – u shpreh ai.
Ankthi i braktisjes
Kurti pra, përveç që tha se “shqiptarët nuk e dojnë Amerikën” tha edhe se ata kanë ankth të braktisjes.
Për çka e kishte fjalën?
Bajraktari i dikurshëm i opozitës kosovare e kishte fjalën për ankthin e ndarjes, në fakt. Ky lloj është ankthi është frika e të qenit larg nga kujdestari primar. Për foshnjet prej moshës 8 deri në 14 muajshe konsiderohet si krejtësisht normal, por nëse foshnja vazhdon ta ketë përtej saj atëherë konsiderohet se ka probleme me zhvillimin normal.
Meqë Kurti po fliste për njerëz mbi këtë moshë, për më tepër, për njerëz mbi moshën madhore, atëherë mund të kuptohet se kemi të bëjmë me një çrregullim të ankthit të braktisjes.
Cilat janë simptomat?
Qarja e tepërt, kapja me forcë e trupit apo rrobave të kundërshtarit, refuzimi për të luajtur me kujdestarin apo të tjerë fëmijë dhe piskatja apo çirrja. Nuk dihet se çfarë simptomash ka parë Kurti te shqiptarët në raport me Amerikën që ka dhënë një ‘diagnostikim’ të tillë.
Në anën tjetër, një lajthitje në logjikën e Kurtit është edhe ndarja që bën mes dashurisë dhe ankthit të ndarjes. Të kesh ankthin e ndarjes nga nëna nuk nënkupton të mos kesh dashuri për nënën.
Kosova konsiderohet se është një prej shteteve më pro-amerikane në Evropë. Kjo dashuri për Amerikën bazohet në rrethana të qarta, e ku Kurti kishte qëndrime skeptike e kundërshtuese: ardhjen e lirisë më 1999 dhe kundërshtimin e tij për Marrëveshjen e Rambujesë dhe ardhjen e pavarësisë më 2008 dhe kundërshtimin e tij për Pakon e Ahtisaarit.
Kujtojmë se në opinionin e fundit të shkruar për mediet kosovare, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, e kanë quajtur Amerikën vendin më “pro-kosovar” në botë. A mund të jetë duke vuajtur edhe Amerika nga ankthi i braktisjes nga Kosova?/Nacionale