Me vetura, sirena, brohoritma dhe me flamuj kombëtar shqiptar, qytetarë të Prishtinës kanë festuar për fitoren e kombëtares së Zvicrës ndaj Serbisë në kuadër të Kampionatin Botëror të Futbollit 2022 që po zhvillohet në Katar, transmeton (AA).
Qytetarët e Kosovës i janë gëzuar fitores së Zvicrës tek e cila luajnë dy lojtarë me prejardhje nga Kosova, sulmuesi Xherdan Shaqiri dhe mesfushori Granit Xhaka.
Përveç Prishtinës, për fitoren e Zvicrës është festuar edhe në Gjilan, Prizren, Mitrovicë dhe qytete tjera të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e kësaj fitore publikoi një fotografi të Shaqirit dhe Xhakës me mbishkrimin “Bravo Shqipe”.
Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti shkroi në rrjetet sociale se “Serbia nuk kalon. Urime Zvicrës”, po ashtu me një foto të dyshes me prejardhje kosovare.
Zvicra mposhti Serinë me rezultat 3 me 2 në xhiron e fundit të Grupit G dhe u kualifikua në raundin tjetër të kampionatit duke e përjashtuar Serbinë e cila përfundoi pjesëmarrjen në këtë kampionat.
Një gol në këtë ndeshje për Zvicrën e shënoi edhe Xherdan Shaqiri.