Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka adresuar një sërë kritikash ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, për dialogun me Serbinë dhe situatën e krijuar në veri për çështjen e targave ilegale. Hoti i cili është edhe deputet i LDK-së në Kuvend, thotë se kreu qeveritar po tregon që s’ka lidership në vendimmarrje në nivele të tilla të dialogimit.
Ish-kryeministri Hoti thotë se Qeveria Kurti “pa vizion ka sjell Kosovën që sot të bisedojë në Bruksel për targat të automjeteve e menaxhim të krizave dhe të anashkalohet marrëveshja finale me njohje reciproke”.
Hoti e vlerëson për keqardhje edhe moskoordinimin me aleatët ndërkombëtarë, veçmas ShBA-në për vendimin për konvertimin e targave nga ilegale në RKS.
Ai thotë se shenjat e para për prishjen e raporteve me SHBA-në janë dhënë, ngjashëm sikur në kohën e Qeverisë Kurti I.
“Është për keqardhje që nuk është koordinuar më herët me partnerët tanë. Pavarësisht asaj, nuk po dëgjohet këshilla e aleatit tonë kryesor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të rishikohet shtyrja e vendimit, me shpresë që gjatë kësaj periudhe të arrijmë të përmbyllim një marrëveshje me Serbinë, pasi ajo nuk mund të arrihet pa partnerët tanë ndërkombëtar… Disa shenja janë dhënë, siç u patën dhënë në Qeverinë Kurti I. Atëherë ka pasur edhe reagim publik se janë artificiale këto veprime. Prapë i kanë dhënë të njëjtat shenja, shtyrja e vizitave të disa ministrave në ShBA me insistim eksplicit të palës amerikane se duhet të qëndrojnë këtu, ky është mesazhi që të japin”, deklaroi Hoti për KP