Një vajzë është sulmuar seksualisht para tri dite në qendër të qytetit të Pejës.
Alpinistja Mrika Nikqi është sulmuar seksualisht nga një mashkull me inicialet F.B. Sipas viktimës personi është i njohur për qytetin e Pejës.
Viktima ka publikuar në Facebook videon nga momenti i sulmit. Rasti ka ndodhur rreth orës 20:50.
Viktima ka thënë se është në gjende të rëndë emocionale.
Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Mrika Nikqit:
“Shokë e shoqe, po ju njoftoj për një rast i cili me ka tmerruar plotësisht !
Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës.
Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt.
Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji. Unë dhe familja u jemi mirënjohës organeve kompetente dhe qytetarëve të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejtë, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time.
Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar sot se e ka arrestuar të dyshuarin me inicialet F.B.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se pas punës intensive me Policinë e Kosovës, ka identifikuar dhe arrestuar një person (me inicialet F.B) i cili dyshohet se me datën 27 shtator të këtij vitit ka sulmuar seksualisht viktimën femër”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.
“Pas identifikimit, i njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Sulmi seksual’ nga neni 229, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor do të shqyrtoj mundësin e paraqitjes se kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit në gjykatën kompetente dhe gjithashtu lidhur me ketë çështje penale do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore”.