Një polic është zënë në orët e para të së hënës në pikën kufitare në Vërmicë, teksa po bartte ilegalisht municion për gjueti.
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se për policin, që ishte jashtë detyrës zyrtare kur u kap, është rekomanduar suspendimi, ndërkohë që në bashkëpunim me prokurorin është hapur rasti me dyshimin se është kryer vepra penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.
IPK-ja bëri të ditur se bëhet fjalë për 1074 fishekë të pushkës së gjuetisë.
“Rasti do të hetohet në procedurë të rregullt, kurse nga IPK-ja është dhënë rekomandimi për suspendimin e zyrtarit të përfshirë në këtë rast”, thuhet në njoftim.