Kohëve të fundit po ndodhin vjedhje të shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos gjatë sezonit të verës, kur organizohen ahengje me të madhe dhe shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Kështu e kanë pësuar edhe pesë vëllezër Bytyqi në fshatin Korishë të Prizrenit, mbrëmë pas mesnate. Hajnat kanë bërë kërdi në shtëpitë e tyre, kur brenda pak minutave kanë vjedhur një shumë të majme parash e stoli ari.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pesë vëllezërit kanë denoncuar në Polici se hajnat kanë vjedhur nga shtëpitë e tyre rreth 30 mijë euro, pjesa më e madhe para të gatshme, si dhe disa stoli ari e armë.
Sipas deklaratave të tyre, të dhëna para hetuesve policorë me rastin e denoncimit të rasteve, kuptohet se të dyshuarit kanë depërtuar brenda me forcë, ku kanë demoluar shtëpitë dhe më pas kanë vjedhur pothuajse nga secili shuma të mëdha parash.
Pas raportimit të rastit, njësitë policore iu janë përgjigjur rastit dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit janë iniciuar rastet si “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.