Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se kanë filluar përgatitjet për marrjen e disa masave për t’u përballur me krizën energjetike, e cila e bën të paprashakiueshëm situatën gjatë dimrit.
Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, tha se shpejt pritet t’i publikojnë masat, disa nga të cilat i përmendi.
Fillimisht, Rizvanolli përmendi disa shtete dhe mundësinë e bashkëpunimit me to “për të mundësuar përfitimin e energjisë me kushte më të mira gjatë muajve të dimrit”.
Rizvanolli po ashtu paralajmëroi subvencione për disa kategori të qytetarëve, përveç shtresave të varfra.
“Përveç kësaj, do të marrim masa të shpejta të rritjes së efiçencës së energjisë duke përfshirë këtu edhe subvencione që shfrytëzojnë burime të tjera për ngrohje, jo energji elektrike, mirëpo edhe shtresat më të varfra për t’u siguruar që ato kanë mundësi që ta mbajnë shtëpinë ngrohtë gjatë dimrit”, tha ajo.
Ministrja foli edhe për çmimin e lartë të peletit. Ky produkt, Rizvanolli tha se do të përfshihet në ligjin të cilin po e përgatit Qeveria, e ku do të vihet një tavan si me rastin e produkteve të naftës.
“Sa i përket çmimit të peletit, e kemi parasysh situatën në treg. Kemi një rritje të çmimit e cila vjen si pasojë e rritjes së çmimit të importit. Këtu jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe peleti do të përfshihet në ligjin që parashihet për përcaktimin e çmimeve tavan”, tha ajo.
“Përveç kësaj, do të shohim edhe mundësi të tjera të bashkëpunimit me sektorin privat, me prodhuesit vendorë të peletit për të parë nëse mund të rritet prodhimi”, shtoi Rizvanolli.
Do të fillojmë një fushatë të luftimit më të rreptë të vjedhjeve të energjisë të cilat na kushtojnë me dhjetëra miliona si shtet, u kushtojnë konsumatorëve përfundimisht, sepse paguhen nga faturat e konsumatorëve.