Momentet e fundit të jetës së Hajrush Ziberit, shqiptarit të vrarë nga forcat paramilitare serbe gjatë luftës në Bosnjë, ishin dokumentuar përmes fotografisë së shkrepur nga fotoreporteri i luftës, Ron Haviv.
“Ai punonte në një piceri në Bosnjë, paramilitarët serbë e morën letërnjoftimin e tij dhe filluan të bërtasin ‘Kosova, Kosova’. Ishin të frustruar. Në atë kohë nuk e kisha shumë të qartë se çfarë nënkuptonte Kosova për serbët, por fakti se Hajrushi ishte shqiptar, për ta nënkuptoi se ai ishte luftëtar”, tha Haviv.
Fotografia e Hajrush Ziberit është një nga qindra fotografitë që Ron Haviv i ka realizuar gjatë karrierës së tij si fotoreporter në rreth 25 konflikte në botë, përfshirë krimet serbe në Kroaci, Bosnjë e Kosovë.
Ai u rikthye në Kosovë 25 vjet pas luftës, për të rrëfyer ngjarjet prapa disa prej fotografive që kishin mbuluar ballinat e mediave të huaja.
“Në ShBA dhe në botë, njerëzit mësojnë në shkollë për Holokaustin dhe thonë kurrë më, kjo s’do të përsëritet kurrë, këto krime s’do të ndodhin më kurrë, por unë gjatë karrierës sime i kam dokumentuar tri gjenocide dhe ka pasur edhe shumë të tjera. Fotografitë dhe gazetaria i mbajnë njerëzit përgjegjës. Gjatë Luftës së Dytë Botërore thoshin nuk e dinim çfarë ka ndodhur, tash kjo nuk është mundur, tash i ke imazhet”, tha Haviv.
Duke folur për luftën në Kosovë, Haviv tha se qasja në vendet ku po kryheshin krime nuk ishte gjithmonë e lehtë.
“Ndonjëherë vetëm shihnim se ku ka tym, aty ku kishte tym kishte konflikt. Kur ishim duke vozitur dhe shihnim ndonjë pikë kontrolli të serbëve që s’mund ta kalonim, silleshim përreth derisa gjenim një mënyrë për të hyrë në atë vend për të dëshmuar atë që po u ndodhte kosovarëve”, tha Haviv.
Ai foli edhe për fotografinë e famshme të kriminelit serb Arkan me tigër në dorë, për të cilën tha se personazhi famëkeq ishte dakorduar që të shkrepej, por më vonë e kishte futur Havivin në listë për ekzekutim.
“Ai ishte krenar me atë fotografi, ai donte ta paraqiste veten si luftëtar i fuqishëm serb, por disa njerëz e shohin fotografinë dhe mendojnë se ai dukej si budalla. Pas fotografive ku shiheshin njerëzit e tij (Arkanit) duke ekzekutuar civilë, atij i dolën telashe me Beogradin, jo për shkak të ekzekutimeve, por për shkak se ato ekzekutime ishin fotografuar, kështu që ai më futi në një listë për vrasje. Më vonë në Sarajevë ishte arrestuar një reporter që dukej si unë, dhe pastaj për 8 vite e kam shmangur takimin me të”, tha Haviv.
Fotoreporteri i luftës tha se rikthimi në Kosovë 25 vjet pas luftës është ndjenjë fantastike, pasi vendi duket se ka ecur përpara.
“Është fantastike. Kosova duket se është në drejtimin e duhur, sidomos kur e krahason me Bosnjën ku duket se njerëzit nuk janë larguar nga vitet e 90-ta. Këtu duket se Kosova ka ecur përpara. Kjo nënkupton që në njëfarë mënyre, sakrificat që janë bërë… viktimat mund të ndjejnë se vendi ka përfituar, tash është shtet që njihet nga shumë shtete të botës. Kjo është diçka shumë pozitive”, tha Haviv./Klan Kosova/