Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se një rasti i tillë është denoncuar edhe mbrëmë nga një grua në Pejë, e cila e ka denoncuar bashkëshortin e saj.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka rrëfyer për kërcënimet e burrit, pas një konflikti verbal që kanë pasur përmes telefonit.
Sipas dëshmisë së viktimës, rasti ka ndodhur pasi ajo kishte shkuar te familja e saj dhe si rezultat i dyshuari e kishte kanosur edhe me vrasje nëse ajo kthehet në shtëpinë e tij, duke u arsyetuar se e ka gjetur një partnere tjetër.
Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar, por i dyshuari akoma nuk është arrestuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen veprimeve të nevojshme për arrestimin e të dyshuarit.