Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq gjatë qëndrimit në Prishtinë, ka komentuar votën e një deputeteje të këtij shteti kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Gorçeviq në një konferencë për media bashkë me zëvendëskryeministrin Bislimi, ku nënshkruan marrëveshjen dypalëshe për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027, tha vota e një deputeti të caktuar, nuk përfaqëson qëndrimin e shtetit të Malit të Zi.
Ministrja malazeze tha se Mali i Zi në Këshillin Ministror në Maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në KiE dhe do t’ia japë përkrahjen Kosovës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë në fushën e integrimeve evropiane.
“Unë e kuptoj interesimin e mediave në lidhje me votimin nga një deputeteje, por shumica parlamentare në Këshillin e Evropës, ashtu siç tha edhe zoti Bislimi votimi i disa deputetëve në Këshillin e Evropës nuk do të thotë se është qëndrim i Qeverisë së Malit të Zi…
Dua të nënvizoj se Mali i Zi në Këshillin Ministror në Maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në KiE dhe do t’ia japë përkrahjen Kosovës për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë në fushën e integrimeve evropiane”, tha ministrja malazeze.
Më 27 mars, Maja Vukiqeviq, kryetare e delegacionit malazias në Komitetin për Politikë dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Vukiçeviq është anëtare e Partisë Popullore Demokratike (DNP) pro-ruse në parlamentin malazias, njëherësh deputete e ish-Frontit Demokratik, agjenda e të cilit përfshinte tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe daljen e Malit të Zi nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO).
Deri më tani, as Qeveria, as kryeministri, as presidenti, e as kryetari i Parlamentit të Malit të Zi nuk kanë reaguar lidhur me votën e një deputeteje të këtij shteti kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.