Oficerët doganorë kanë kapur sasi të konsiderueshme të cigareve elektronike me shije të ndryshme, të cilat po tentohej të kontrabandoheshin me një autobus të linjës së rregullt Gjermani – Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Dogana njofton se oficerët doganorë së bashku me oficerët e Policisë kanë hapur bagazhet, ku kanë gjetur sasi prej 17,290 pako cigaret elektronike të shijeve të ndryshme, së bashku me 10,000 thithje (puffs) në sasi prej 20 ml secila.
“Në pikën kufitare (PKK) Merdare, ka arritur autobusi i linjës së rregullt nga Gjermania për në Kosovë. Në pyetjen e oficerëve doganorë se a kishte diçka për të deklaruar, shoferi është përgjigjur se ka sasi minimale. Oficerët doganorë kanë kërkuar hapjen e të gjitha bagazheve, derisa drejtuesi i mjetit ka deklaruar se bagazhet në pjesën e majtë të autobusit nuk hapen.
Oficeret Doganore së bashku me Oficerët e Policisë kanë hapur bagazhet, ku janë gjetur sasi prej 17,290 pako cigaret elektronike të shijeve të ndryshme, së bashku me 10,000 thithje (puffs) në sasi prej 20 ml secila, fillimisht në pjesën e majtë të bagazhit. Pas kësaj, autobusi është selektuar për kontroll të vijës së dytë, respektivisht për kontroll detal. Kontrolli ka rezultuar me gjetjen edhe të një sasie të konsiderueshme të cigareve elektronike në fund të autobusit dhe nën karrigen e mbuluar me valixhe dhe gjësende të udhëtarëve”, thuhet në komunikatë.
Siç njofton Dogana, drejtuesi i autobusit ka pranuar verbalisht se malli i takon atij dhe e tërë sasia është konfiskuar.