Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet ditë zie shtetërore, në nderim të shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare.
Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Në qershor të vitit të kaluar, Osmani e ka dekoruar shkrimtarin Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit.
Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin Kadaresë iu dha nënshtetësia e Republikës së Kosovës.