Kurti: Kërcënimi nga Serbia është real, i shtuam 1 mijë e 852 ushtarë për tri vite

Kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se ka kërcënime të vazhdueshme nga Serbia, dhe se Kosova është duke marrë masa për t’u përballur këtë situatë.

Kurti ka përmendur shtimin e efektivit dhe pajisjeve të ushtrisë, duke përfshirë blerjen e armatimeve nga SHBA dhe Turqia.

Ai gjithashtu ka potencuar rritjen e numrit të ushtarëve dhe trajnimeve për t’i përgatitur ata për sfidat e mundshme.

Kurti gjithashtu ka theksuar se Serbia nuk është distancuar nga politika e saj e kaluar, e cila përfshin edhe mohimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Vazhdimisht Serbia bën kërcënime, por ne nuk e dimë kur do t’i materializojë ato. Përvoja dhe historia na mëson se ai që bën kërcënime, një ditë do të edhe i aktualizon kërcënimet. Duhet të jemi vigjilentë dhe sa më të përgatitur, prandaj dhe po e forcojmë ushtrinë tonë, e kemi hequr tavanin e ushtarëve, e kemi zgjedhuar moshën e ushtarëve nga 23 në 25 vjeç. Në 3 vite kemi shtuar 1852 ushtarë në FSK, edhe 600 ushtarë të rinj do të vijnë këtë vit. Nga SHBA, ne po blejmë raketa antitank “Javelin”, ndërsa nga Turqia po blejmë dronë Bayraktar. Përveç kësaj, e kemi katërfishuar numrin e trajnimeve për ushtarët dhe oficerët jashtë vendit, është dyfishuar buxheti për mbrojtjen”, ka deklaruar ai për A2CNN.

Kjo përpjekje e Kosovës për të rritur kapacitetet e saj ushtarake sipas tij, është pasojë e kërcënimeve reale që vijnë nga Serbia dhe, në disa raste, edhe nga Rusia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *