BQK për monedhën 2-euroshe: Asnjë autoritet s’mund të vendosë për ndalimin e tyre

Banka Qendrore e Kosovës ka lëshuar udhëzime në lidhje me monedhën 2-euroshe e cila tash e një kohë po qarkullon me të madhe si e falsifikuar në vend. (Udhëzimi: https://bqk-kos.org/edu/materialet/monedhat-euro/).

BQK-ja vlerëson se të gjitha paratë origjinale në euro, pa përjashtim, janë mjet i vlefshëm pagese në Kosovë dhe se asnjë autoritet tjetër nuk mund të vendos për ndalimin ose lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm të pagesave.

“BQK duke njohur rëndësinë që ka furnizimi i ekonomisë së Republikës së Kosovës me para të gatshme dhe nevojën të ruhet besueshmëria dhe integriteti i Euros në përdorimin e saj si mjet pagese, është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti kundër ligjor, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale dhe teknike”, thotë Banka Qendrore.

Mes tjerash, BQK-ja ka treguar se si mund të dallohen monedhat e falsifikuara nga ato orgjinale.

“Monedhat e vërteta janë të dallueshme nga ato të falsifikuara dhe se ka disa mundësi që të identifikohen. Monedhat e falsifikuara përgjithësisht kanë veti të ndryshme magnetike nga ato të vërteta, si dhe në pamje kanë një kualitet të dobët të detajeve, zakonisht ngjyrë të ndryshme të rrethit dhe sipërfaqes brenda rrethit dhe mungesë të shkronjave në skaje. Prandaj BQK udhëzon qytetarët dhe bizneset që për një verifikim më të lehtë të bazohen në manualin e publikuar në vijim: https://bqk-kos.org/edu/materialet/monedhat-euro/”.

BQK-ja udhëzon bizneset që furnizimin me monedha të bëjnë vetëm përmes bankave, monedhat e pranuara t’i verifikojnë para se të njëjtat t’i ri-qarkullojnë, të punojnë në vetëdijesimin dhe trajnimin e punonjësve dhe mënyrën e identifikimit të tyre.

Tutje, BQK-ja rekomandon shmangien e përdorimit te parasë se gatshme dhe përdorimi i mjeteve elektronike të pagesave, por pa penguar dhe kufizuar te drejtën e secilit për të zgjedhur instrumentin ligjor te pagesës me rastin e kryerjes së pagesave.

“BQK do të vazhdojë të monitoroj, udhëzoj publikun, asistoj dhe marr masa për të ndihmuar në luftimin e këtij fenomeni, i shfaqur edhe ne vendet tjera dhe i cili kërkon përgjigje adekuate dhe efektive jo vetëm në nivel lokal”.

Sa i përket ankesave lidhur me këtë çështje, çdo pengesë eventuale që qytetarët apo bizneset mund të hasin nga institucionet financiare ato mund të adresohen në BQK, kurse nëse pengesat për qytetarët paraqiten nga bizneset, ata mund t’i adresojnë ankesat e tyre të institucionet përkatëse inspektuese (qendrore apo lokale), apo tek organet e zbatimit të ligjit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *