I dyshuar për dhunë fizike ndaj gruas, Akil Gjakova shkon ta përfaqësojë Kosovën në Kroaci

Akil Gjakova, ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit nën dyshimin për dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, do ta përfaqësojë Kosovën në xhudo në Zagreb të Kroacisë.

Njoftimin zyrtar për këtë e ka bërë Federata e Xhudos e Kosovës. Gjakova do të mundet në kuadër të Kampionatit Evropian të Xhudos për senior, që pritet të mbahet nga data 25 deri më 27 prill, shkruan Gazeta Insajderi.

“Me 25 deri me 27 prill 2024, mbahet Kampionati Evropian i Xhudos për Senior në Zagreb të Kroacisë

Nga Kosova do të garojnë:

Distria Krasniqi (-52 kg)

Flaka Loxha (-57 kg)

Akil Gjakova (-73 kg)

Dardan Cena (-73 kg)

Loriana Kuka (-78 kg)”, thuhet në njoftim.

Akil Gjakova ishte arrestuar para tetë ditësh në pikëkalim kufitar në Morinë, teksa u dërgua në ndalim policor për 48-orë nën dyshimin për dhunë në familje.

Prokuroria Themelore e Pejës kërkoi caktimin e masës së paraburgimit të Gjakovës. Në kërkesë, mes tjerash, e cilësoi Gjakovën recidivist.

“Akil Gjakova është recidivist, dhe se ai e ka gënjyer Policinë dhe se ai mund të arratiset”, u tha në kërkesën e Prokurorisë.

Gjykata e Pejës ka miratuar kërkesën e bashkëshortes së tij për urdhër mbrojtës kundër Gjakovës.

“Lëshohet urdhër për mbrojtje emergjente, kundër palës përgjegjëse Akil Gjakova, afrimi i palës së mbrojtur, Suela Mominovic-Gjakova, në distancë 50 metra në shtëpinë ku është duke qëndruar tani pala e mbrojtur, në rrugë, qytet dhe vendin e punës. I NDALOHET në të ardhmen të ushtroj dhunë fizike dhe psikike, të bllokoj lëvizjes e viktimës, të ofendoj, shqetësoj dhe kërcënoj palën e mbrojtur”, thuhet në vendimin e siguruar nga Insajderi.

Poashtu, Gjykata ka vendosur edhe për kujdestarinë e fëmijës së çiftit.

“Fëmija i mitur i besohet përkohësisht palës së mbrojtur, përkatësisht të ëmës së tij, në përkujdesje, rritje dhe edukim”, thuhet tutje.

Përveç kujdestarisë së fëmijës 3 vjeçar, Gjykata ka vendosur edhe për kohën, ditën dhe vendin kur Gjakova mund të takojë të birin.

Caktohet kontakti i palës përgjegjëse, Akil Gjakova nga Peja, më fëmiun e mitur, dhe atë dy herë në muaj. Të premten e dytë dhe të premten e katërt. Kontakti i caktuar do të realizohet pran Qendrës për Punë Sociale në Pejë, në prezencën dhe mbikqyrjen e punëtorit social“, thuhet në vendim. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *