Pezullimi i ndërtimit të Rrugës “A” | A po tenton kompania “Sallahu” t’i mashtrojë qytetarët dhe institucionet?

Gjykata Komerciale ka vendosur dje për pezullimin e punimeve në Rrugën A që kishte nisur të ndërtohej në prill të këtij viti.

Ndërkaq sot, kompania që e ka fituar tenderin për këtë rrugë, “Sallahu SHPK”, ka reaguar, duke pretenduar se nuk ka asnjë dënim nga Gjykata dhe është plotësisht e përgjegjshme sipas Ligjit të Prokurimit Publik!

Por cila është e vërteta?

Në fotografitë e publikuara gjatë inspektimit të punimeve në Rrugën A janë parë të pranishëm vëllezërit Lulzim dhe Naim Sallahu. Kompania “Sallahu” sot e ka publikuar certifikatën e Gjykatës Themelore të Ferizajt ku Lulzim Rexhep Sallahu thuhet se nuk është duke u hetuar e as nuk është dënuar.

Mirëpo, duket se vëllezërit Sallahu e kanë bërë një ‘dredhi’, duke e regjistruar kompaninë “Sallahu” në emër të Lulzimit, pasi që vëllai i tij, Naimi, është i dënuar për mashtrim me prokurimin publik.

Fiks para shtatë muajve, rrjeti i OJQ-ve, AVONET, kishte reaguar duke ngritur dyshimet për parregullsi e tenderit prej 8.4 milionë eurosh të Komunës së Prishtinës që ia kishte dhënë kompanisë “Sallahu”.

AVONET theksonte se fituesi i tenderit rreth aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i rrugës A – pjesa e Parë”, është shpallur Naim Sallahu, pronar i mëparshëm i “Sallahu” sh.p.k i cili është i dënuar për mashtrim dhe keqpërdorim në Prokurim Publik.

“AVONET gjatë hulumtimit të aktivitetit të prokurimit në Komunën e Prishtinës ka identifikuar se Naim Sallahu, pronari i mëparshëm i “Sallahu” sh.p.k ka Aktgjykim të formës së prerë dhe është fajtor për kryerjen e veprës penale: falsifikim i dokumentit zyrtar nga neni 398, par. 2KPRK- së, me nr. të lëndës PKR. Nr. 16/2018 të datës 30.03.2018 të Gjykatës Themelore të Prishtinës”, thoshte AVONET.

Tutje, AVONET bënte të ditur se sipas ligjit: “Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave”.

Ky rrejt i OJQ-ve pati bërë të ditur se ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të fillojë hetimet, ku po ashtu, i është bashkëngjitur edhe raporti i nxjerrë nga ky hulumtim.

AVONET duke parë dokumentacionin e dosjes së ofertuesit të OE “Sallahu” shpk në aktivitetin e prokurimit të projektit me titull: ”Ndërtimi i rrugës A – pjesa e parë” me nr. të prokurimit: 616-22-7096-5-1-2, tek autoriteti kontraktues konkretisht Komuna e Prishtinës ka pare që Naim Sallahu është zyrtar i OE “Sallahu” shpk, ku figuron edhe në listat e pagave për vitin 2022 të lëshuar me datën 05.08.2022, poashtu edhe për vitin 2021, 2020, 2019 dhe 2018 në formularin e deklarimeve vjetore dhe pagesave për tatimin në të ardhurat e korporatave, ku figuron si person kontaktues Naim Sallahu, poashtu ai figuron edhe në noterizimin e ISO certifikatës që e ka bërë kërkesën z.Naim Sallahut, të lëshuar në emër të “Sallahu”shpk, që vërteton se ka pozitë udhëheqëse apo pozitë në OE.

Këto dokumente që janë në dosjen e ofertës e kanë plotësuar kriterin e dosjes së tenderit, nga kjo rezulton se OE dhe përfaqësuesi i saj z.Lulzim Sallahu dyshohet se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe deklarimi i rremë nën betim dhe ky veprim është i sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe është i dënueshëm me nenin 415 të KODIT PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS, me NR. 06/L-074: Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe nenin 383, deklarimi i rremë nën betim.

Skandali me tenderin 2 milionësh – biznesmeni nga Kaçaniku dyshohej për falsifikim dokumentesh

Në fund të dhjetorit të vitit 2020, mediat publikuan një raportim lidhur me kriteret e një tenderi të vlefshëm rreth dy milionë euro të Komunës së Vitisë, ku dyshohej se ishin plotësuar rrejshëm. Skandali përfshinte kompaninë “Sallahu” Sh.p.k. dhe dy gjeodetë, njëri prej të cilëve dyshohet se është viktimë.

Një kompani private dhe dy inxhienierë të gjeodozisë ishin implikuar në një ofertë abuzive të tenderimit për një kontratë të vlefshme rreth 2 milionë euro të Komunës së Vitisë.

Kompania “Sallahu” Sh.p.k., aso kohe me pronar Naim Sallahun, dyshohej për falsifikim të dokumenteve dhe përdorim të paautorizuar të dokumenteve profesionale të dy gjeodetëve në ofertat e Dosjes së Tenderit të emërtuar “Ndërtimi i rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik – Faza II”.

Me qëllim përfitimin e tenderit për të cilin Komuna e Vitisë kishte planifikuar 2.1 milionë euro, kompania me seli në Kaçanik kishte përdorur në mënyrë të paautorizuar dokumentet profesionale të inxhinierit të gjeodozisë, Selim Berisha.

Një hulumtim i organizatës jo-qeveritare “AVONET” nga Ferizaj, pati zbuluar se kompania “Sallahu”, në Dosjen e Tenderit ka prezantuar një para-kontratë me Selim Berishën pa pëlqimin e gjeodetit.

Madje, pa autorizimin e inxhinierit të gjeodezisë kompania “Sallahu” Sh.p.k. dyshohet se ka prezantuar edhe diplomën dhe referenca të falsifikuara pune në emër të tij.

Në një përgjigje me shkrim për “AVONET”, Berisha ka thënë se nuk ishte në dijeni për para-kontratën e nënshkruar në emër të tij dhe kompanisë “Sallahu”. Ka thënë se ai nuk ka bashkëpunuar asnjëherë me këtë firmë.

“Mund te konfirmoj qe janë te dhënat e mia personale si: numri personal, data e lindjes, diploma, etj. Po ashtu mund të konfirmoj qe NUK kam bërë asnjë para kontrate me kompaninë ‘Sallahu’ SHPK dhe as me përfaqësuesin e kompanisë z.Naim Sallahu, ne lidhje me projektin ne fjalë”, ka thënë Berisha. “Thënë shkurt: kompania ka keqpërdorur diplomën dhe nënshkrimin tim”.

Për të plotësuar kërkesat sipas Dosjes së Tenderit, e cila parashihte angazhimin e dy inxhinierëve të gjeodozisë për përfitimin e kontratës së rrugës Viti-Kërbliq-Kaçanik, kompania “Sallahu” Sh.p.k. dyshohej për përfshirje në shkelje ligjore në bashkëpunim me Fadil Shehun, një inxhinierë të gjeodozisë të punësuar në ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenci”.

Fadil Shehu është gjeodet i punësuar në kompaninë rajonale “Ibër-Lepenci”. Ai është gjeodet i licencuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, por licenca e tij është e limituar vetëm për nevojat e “Ibër-Lepencit”.

Megjithatë, Fadil Shehu dhe kompania “Sallahu” Sh.p.k. kanë lidhur kontratë mbi vepër për angazhimin e inxhinierit të gjeodozisë për përfitimin e kontratës publike në Komunën e Vitisë.

Kjo kontratë e lidhur mes tyre bie ndesh me Ligjin për Kadastër dhe Udhëzimin Administrativ të MMPH-së për licencimin e kompanive gjeodete dhe të gjeodetëve. Sipas ligjit, gjeodeti Shehu nuk ka licencë për ofrimin e shërbimeve të cilat nuk ndërlidhen me ndërmarrjen hidroekonomike “Ibër-Lepenc”.

Dëshmitë që ka siguruar OJQ-ja “AVONET” dëshmonin se gjeodeti i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc” ka lidhur kontratë edhe me një kompani tjetër që ka ofertuar për tenderin e njëjtë. Pra, ai ka lidhur dy para-kontrata me kompani biznesore derisa ka marrëdhënie të përhershme pune në institucionet publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *