FFK-ja konfirmon që ende nuk ka marrëveshje të nënshkruar për rinovimin e stadiumit “Fadil Vokrri”

Në fund të vitit të kaluar, zëvendësministrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, pati njoftuar se është arritur një marrëveshje me Federatën e Futbollit të Kosovës për rinovimin dhe ndërrimin e barit në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Por nënshkrim të marrëveshjes për nisjen e punëve ende nuk ka.

Kështu ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).

“Në takimin me presidentin e UEFA-s, Çeferin, presidenti Ademi e ka informuar atë rreth zhvillimeve në FFK dhe për projektet që janë në zhvillim e sipër dhe ato që pritet të realizohen. Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte projekti për stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ku do të bëhet ndërrimi i fushës në hibrid, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrëveshja mes dy institucioneve do të nënshkruhet së shpejti dhe më pas të fillojnë punimet në këtë projekt, në mënyrë që stadiumi të jetë i gatshëm për ndeshjet zyrtare të Kombëtares së Kosovës”, shkruan në njoftimin e FFK-së.

Stadiumi “Fadil Vokrri” është i mbyllur. Aktivitete në stadium nuk ka pasur prej muajit nëntor pasi u dëmtua në masë të madhe bari i saj, për shkak të numrit të madh të ndeshjeve ndërkombëtare të zhvilluara.

Prishtina në fundjavë do ta organizojë ndeshjen e saj të parë për stinorin pranveror në stadiumin në Lipjan. Do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë të mos paraqitet në “Fadil Vokrri”.

Kosova në mars ka aranzhuar dy ndeshje miqësore. Asnjërën prej tyre nuk do ta ketë në Kosovë. Edhe ndeshjen ndaj Norvegjisë në qershor do ta zhvilloj në udhëtim. Gjasat që shikuesit ta shohin përfaqësuesen nga afër janë nga shtatori, kur edhe Kosova do të nisë edicionin e katërt të Ligës së Kombeve.

Stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi në Kosovë që posedon licencë të UEFA-së për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare për senior dhe kjo ka bërë që ai të stërngarkohet dhe të mos e përballojë një kalendar të tillë.

Edhe për një kohë të gjatë pritet të jetë i vetmi që plotëson kriteret. Punët në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë janë lënë në gjysmë. Njëjtë edhe në stadiumin e Gjilanit.

Ditë më parë, në Komisionin për mbikëqyrjen e financave është diskutuar për gjetjet e auditorit në punimet dhe rinovimin e tri stadiumeve, atë “Adem Jashari” në Mitrovicë, stadiumin e qytetit në Gjilan dhe atë në Gjakovë.

Gjatë diskutimit nuk kanë munguar as përplasjet mes ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajurlla Çeku, si dhe anëtarëve të këtij komisioni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *