Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se gërmimet e nisura në maj të vitit 2021, kanë rifilluar në lokacionin e quajtur Shtavalj, Sienicë, në territorin e Serbisë.
Sipas njoftimit, gërmimet kanë nisur pas dy vitesh kërkesa e takime në mes të nëngrupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
“Gërmimet e nisura në Maj të vitit 2021, me datë 08.11.2023, përkundër disa paqartësive që ekzistojnë, kanë rifilluar në lokacionin e quajtur Shtavalj, Sienicë, në territorin e Serbisë. Të pranishëm në këto gërmime, janë ekipet tona nga KQPZH dhe IML”, thuhet në komunikatën për media.
Me qellim të ruajtjes së procesit, për detajet tjera Komisioni ka thënë se do të njoftojë në momentin e parë që mund të ketë gjetje në atë lokacion.
“Lokacioni Shtavalj, është vetëm njëri nga lokacionet e shumta që Kosova prezantuar si varreza të mundshme masive në Serbi, dhe që në vazhdimësi ka bërë kërkesë për të marrë informacione kredibile dhe për të vazhduar me gërmimet”, bëhet e ditur tutje.