Trafiku Urban arsyeton mbingarkesën në autobusë, thonë se kanë 35 mijë udhëtarë në ditë

Qytetarët në Prishtinë dhe rrethinë janë duke u ankuar se autobusët e trafikut urban po mbingarkohen dhe kësisoj ata po detyrohen të qëndrojnë në këmbë.

Nga Trafiku Urban kanë deklaruar për Telegrafin se janë rreth 35 mijë udhëtarë në ditë, prandaj edhe ka mbingarkesë.

Zyra për media e Trafikut Urban thekson se janë duke punuar për përmirësimin e shërbimeve, dhe se vitin e ardhshëm do t’i shtohen edhe 30 autobusë të rinj.

“Trafiku Urban ka 35 mijë udhëtarë në ditë, duke pasur parasysh këtë numër të qytetarëve që shfrytëzojnë shërbimet tona dhe numrin e autobusëve me të cilët operojmë është e natyrshme se autobusët kanë mbingarkesë. Ky sa është sukses i ndërmarrjes është edhe sfidë, dhe në kuadër të përmirësimit të shërbimeve për banorët e kryeqytetit ndërmarrjes vitin e ardhshëm do t’i shtohen edhe 30 autobusë të rinj”. thuhet në përgjigje.

Gjithashtu, Trafiku Urban njofton se me ardhjen e autobusëve të rinj do t’i ofrohet më shumë mundësi qytetarëve të Prishtinës, duke mos përjashtuar as përfshirjen e zonave rurale.

Së fundmi edhe vrojtuesit e lagjes – Prishtinë, kanë publikuar disa fotografi ku shihen qytetarë të shumtë në autobusin e Trafikut Urban.

Po ashtu, vrojtuesit thonë se një qytetari i ka rënë të fikët, shkak i mbingarkesës.

“Nuk ka nevojë me bërë oferta për përdorimin e Trafikut Urban Prishtinë, përderisa s’ka infrastrukturë të mjaftueshme me i plotësu nevojat për qytetarët”, thuhet në reagimin e vrojtuesve. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *