Drita e ka një rast jetik sot për t’iu afruar kreut

Drita do ta ketë një rast jetik sot për t’iu afruar kreut të tabelës.

Aktualisht, gjilanasit janë pesë pikë prapa liderit Ballkani dhe katër pikë mbrapa të dytit në tabelë, Llapit.

Dy ekipet e lartpërmendura dështuan të fitonin dje në duelet përkatëse të xhiros së 25-të të Superligës së futbollit.

Therandasit u mposhtën nga Fushë Kosova me rezultat 0:2, kurse llapjanët u dorëzuan përballë Malishevës, 1:2.

E sot, “Intelektualët” do ta kenë një lojë “jetë e vdekje” kundër Feronikelit ’74 në udhëtim, shkruan “Gazeta Express”.

Gjilanasit nuk kanë alternativë tjetër pos fitores nëse duan të mbesin në garë për titull të kampionit.

Me një trepikësh eventual, ekipi i Zekirija Ramadanit do t’i afrohej Ballkanit në dy pikë dhe Llapit në një pikë.

Sidoqoftë, trajneri shqiptar nga Maqedonia e Veriut kërkon nga lojtarët e tyre që ta shikojnë vetëm lojën e tyre dhe të mos mendojnë se çka kanë bërë ekipet tjera.

“Do të mundohemi që mossukseset e rivalëve tanë të mos i transformojmë te futbollistët tanë, sepse nëse vetëm ne arrijmë të menaxhojmë presionin e rezultateve. Është shumë më e lehtë për futbollistët, për ta është ndeshja e radhës dhe ju takon te japin maksimumin dhe të arrijmë objektivin tonë dhe jo t’i gëzohemi rezultateve të rivalëve tanë. Nëse ne arrijmë të marrim kreun do t’i gëzohemi arritjes sonë, jo t’i gëzohemi dështimit të tjetrit”, deklaroi Ramadani.

Nga ana tjetër, ekipi i Shefki Kuqit po ashtu do t’i kërkojë tri pikë për t’i ikur zonës së barazhit.

Kurse, dueli tjetër i sotëm do të jetë ai mes Prishtinës dhe Dukagjinit, një duel direkt për vendin e pestë në tabelë.

Të dy ndeshjet e sotme do të nisin në orën 13:00. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *