Medalisti evropian mbetet jashtë Evropianit për mungesë të buxhetit

Elhami Shabani vitin e kaluar nuk mori pjesë në Kampionatin Evropian të karatesë. Mungoi shkaku i një dënimi që e kishte marrë dy vjet më parë nga Federata e Karatesë e Kosovës. 

Por karateisti nga Gjilani nuk do të marrë pjesë as në Evropianin që nis të mërkurën dhe përfundon më 12 maj në Zarë të Kroacisë. Shabani, 30-vjeçar, nuk udhëtoi me ekipin e Kosovës drejt Kroacisë. Nuk kishte buxhet personal për të udhëtuar. 

Buxhet për t’ua paguar pjesëmarrjen në Evropian nuk kishte as Federata e Karatesë e Kosovës që vetëm javën e kaluar tejkaloi problemet e nisura vitin e kaluar. 

“Unë nuk kam shkuar në Kroaci për shkak të shpenzimeve, sepse ne jemi tre vëllezër dhe ka qenë e papërballueshme të shkojmë të gjithë. Kjo garë ka qenë me rëndësi të veçantë për ekipin e djemve, sepse është kualifikuese për botëror. Ka qenë e pamundur për mua të gjeja mjete që të jemi së bashku të tre vëllezërit”, ka thënë të martën për KOHËN Elhami Shabani. 

Ai është fitues i medaljes së bronztë në Evropianin e mbajtur në maj të vitit 2022 në Gaziantep të Turqisë.

Karateisti i kategorisë deri në 75 kilogramë ishte paraqitur për ta përfaqësuar Kosovën vetëm në garat ekipore. 

Kosovën në Evropian e përfaqësojnë dy vëllezërit e Elhamiut, Shpresimi dhe Benjami si dhe Islam Selmani, Vlera Qerimi, Fortesa Orana, Alma Loki, Elmedina Istogu, Ventor Gjuka, Redona Gashi, Anila Foniqi, Fatijon Bajrami, Jakup Ajdari, Behije Musfata, Diellza Sejdijaj, Jakup Ajdari.
Elhami Shabani thotë se garuesve u ka kushtuar 750 euro pjesëmarrja në Kampionat Evropian. Tregon se garuesit kanë paguar fillimisht me mjete personale.

“Ka kushtuar 750 euro për person, plus shpenzimet e tjera. Na është thënë nga Federata se do t’i mbulojnë të gjitha shpenzimet më vonë”, ka theksuar karateisti me përvojë.
Edhe në Federatën e Karatesë së Kosovës thonë se shpenzimet e pjesëmarrjes do t’u mbulohen më vonë  garuesve. Pra kanë konfirmuar se fillimisht shpenzimet i kanë mbuluar vetë garuesit.

“FKK-ja është në obligime më shumë si 130 mijë euro dhe nuk ka pasur para. Do t’ua kompensojmë posa të bëjmë buxhet”, ka thënë sekretari i FKK-së, Nazmi Gashi. 

Federata e Karatesë e Kosovës nga korriku i vitit të kaluar u përball me ndarje të madhe. U krijuan dy grupe, ndërsa MKRS-ja ia pezulloi licencën. 

Për shkak të pezullimit të licencës, FKK-ja nuk është përfshirë në listën e federatave të kategorizuara për vitit 2024. Rrjedhimisht nuk ka realizuar të hyra nga shteti. Kjo situatë pritet të ndryshojë pas kuvendit të fundjavës së kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *