Qeveria ndan 4 milionë euro për ndërtimin e shtëpive për katër komunat veriore të Kosovës

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës janë ndarë 4 milionë euro për ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive, për komunitetet joshumicë në katër komunat veriore të Kosovës në Mitrovicë veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Ministri i Financave, Hekuran Murati në fjalimin e tij tha se ky projektligj ka të bëjë me kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe këto 4 milionë euro ndahen tek MAPL.

“Ka të bëjë me një kërkesë të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal për ndarjen e 4 milionë euro shtesë kaq sa është vlerësuar, pra nevoja për të mbuluar kërkesat që kanë qenë gjatë fazave të mëhershëm të aplikimit për ndërtim apo rindërtim të shtëpive në katër komunat veriore të Kosovës, dhe në kësisoj ne si Ministri e Financave e kemi trajtuar këtë kërkesë, këto 4 milionë euro të ndahen tek Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal”, deklaroi Murati në mbledhjen e qeverisë.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se këtë vendim e marrim për rritje të mirëqenies së qytetarëve.

“Sot në këtë mbledhje, në mbledhjen e 198 të Qeverisë së Kosovës do të marrim edhe vendime të tjera për rritje të mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillim të Republikës sonë, me theks të veçantë në dy prej tyre, atë për ndarjen e 4 milionë eurove për subvencionimin e ndërtimin të shtëpive për pjesëtarë të komuniteteve jo shumicë në komunat e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut dhe propozimin për miratim të programit për performancë të lartë sportive “Super-sportistët”, është shprehur ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *