Mostrat e ish aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë i ndjerë, Astrit Dehari, u zhdukën nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore ku po ruheshin tash e sa vjet. Lajmin e kishte bërë të ditur të enjten e 8 dhjetorit vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila përmes një konference për media kishte thënë se në vendin ku ruheshin mostrat, kishin qasje vetën tre persona.
Lajmi u dha në dhjetor, mirëpo nuk dihej koha se kur mostrat ishin zhdukur pa i parë askush dhe pa mbetur asnjë gjurmë e vetme si pistë hetimi. Kjo pasi që kontrolli i fundit në Laborator ishte bërë në tetor të vitit 2021.
E gjithë kjo dramë u përcoll me reagime të shumta, si dhe hetimet lidhur me rastin i nisi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Në kuadër të masave ndëshkuese, MD pezulloi nga puna katër zyrtarët e institutit, Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore. Të njëjtit janë kthyer sërish në punë, me një vendim të Komisionit të Ankesave brenda IML-së.
Misteri i zhdukjes së mostrave të Astritit u thellua dhe më tej, pas akuzave të ish-deputetit të VV-së, Haki Abazi, i cili tha para gazetarëve se “duhet t’i kërkoni video incizimet për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari”. Ndër të tjera, Abazi kërkoi që kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Albulena Haxhiu të intervistohen nga Prokuroria Speciale për zhdukjen e mostrave të Deharit, aktivistit tashmë të ndjerë të LVV-së.
Për këto pretendime, deputeti Abazi ishte intervistuar nga Prokuroria.
E tri ditë më parë, Nacionale duke u thirrur në burimet e veta, raportoi se një pjesë e mostrave janë gjetur dhe janë kthyer aty ku kanë qenë më herët.
“Mostrat që janë gjetur janë të lukthit dhe të urinës. Kurse të gjakut mungojnë. Prokuroria sot ka qenë këtu dhe i ka marrë provat e nevojshme”, raportoi Nacionale.
Lidhur me këto raportime, institucionet shtetërore kanë zgjedhur të heshtin. Ata po zhvillojnë një lojë ping-pongu me përgjigje, duke lënë përgjegjësinë te njëri-tjetri.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, njëherit kryetar i partisë në të cilën shërbente dhe dha kontribut i ndjeri Astrit Dehari, nuk ka thënë asnjë fjalë lidhur me zhdukjen e mostrave.
E gjatë ditës së sotme, ai dha një ‘rekomandim’ të shkurtë për mediat, se ku të kërkojnë përgjigje lidhur me rastin, duke refuzuar që të deklarohet.
“Më besoni se për këtë, Ministria e Drejtësisë duhet të japë përgjigje adekuate”, tha Kurti.
E ministrja Haxhiu e cila kishte kumtuar lajmin për zhdukjen e mostrave, tash nuk pranon që të deklarohet lidhur me gjetjen apo jo tyre. Ajo ka kërkuar nga mediat që për këtë çështje t’i drejtohet Prokurorisë Speciale.
Por heshtjen e kanë zgjedhur edhe kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj dhe prokurori i rastit, Afrim Shefkiu.
Kujtojmë se Astrit Dehari vdiq në rrethana ende të dyshimta mbrëmjen e 5 nëntorit të vitti 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Dehari po mbahej në paraburgim nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të 2016-s, me granatahedhëse në Kuvendin e Kosovës. Ai vdiq në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.
Vdekja fillimisht ishte cilësuar si e dyshimtë, kurse Lëvizja Vetëvendosje që nga ajo kohë e deri më tani, thotë se kjo ishte përgjegjësi institucionale.
Gjithashtu, dyshime rreth vdekjes së Deharit ka pasur vazhdimisht edhe familja e tij.
Edhe pas këtyre viteve, vdekja e Astrit Deharit vazhdon të jetë një mister i pazgjidhur nga organet e drejtësisë në Kosovë, edhe pas ardhjes së LVV-së në pushtet, e cila ka bërë zhurmë goxha të madhe se do ta zbardhte këtë rast.