Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tërthorazi ka lënë të kuptohet se helikopteri në të cilin ndodhej dhe vdiq ministri i tij i Punëve të Brendshme, Denys Monastyrsky, është rrëzuar nga forcat e armikut, duke thënë se kohë lufte s’ka aksidente.
Ukraina nuk ka pretenduar zyrtarisht për përfshirjen e Rusisë në këtë rast, por presidenti ukrainas tha në fjalimin e tij për Forumin Ekonomik Botëror në Davos se kjo tragjedi ishte pasojë e luftës, raporton televizioni BBC.
Nga rrëzimi i helikopterit të mërkurën, përpos ministrit Monastyrsky, vdiqën edhe dy zyrtarë të lartë e 11 persona të tjerë, përfshirë një fëmijë, sepse helikopteri u përplas afër objektit të një çerdheje e pastaj në një ndërtesë banimi.
Zelensky e shfrytëzoi fjalimin për t’u bërë thirrje aleatëve që shpejt t’i japin vendit të tij më shumë armë para se Rusia të fillojë ofensiva të reja.
“Koha që bota e lirë e përdor për të menduar, shfrytëzohet nga shteti terrorist për të vrarë”– deklaroi ai. Ky koment u interpretua si kërkesë për Gjermaninë që të ngutet dhe t’ia japë Ukrainës tanket “Leopard”.
Raportohet se Berlini nuk është i gatshëm që t’i ofrojë këto tanke, nëse Shtetet e Bashkuara nuk i japin Ukrainës tanke “Abrams”. Britania e Madhe rishtazi është zotuar se do t’i japë Ukrainës disa tanke “Challenger 2”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Davos të mërkurën se Ukraina mund të presë që të marrë “më shumë përkrahje, përkrahje më të avancuar, armë më të rënda dhe armë më moderne”. Ai njoftoi se vendet e aleancës do të takohen të premten për të diskutuar se çfarë pajisjesh ushtarake mund t’i dërgohen Kievit.
Përplasja e helikopterit ndodhi të mërkurën rreth orës 8 e 30 minuta në mëngjes sipas kohës lokale në Brovary, afër Kievit. Ministri 42-vjeçar, i cili vdiq nga përplasja, ishte njëri ndër këshilltarët më të vjetër politikë të presidentit ukrainas. Ai është profili më i lartë që e ka pësuar me jetë që nga fillimi i luftës.