Për shumë njerëz, Arya ka qenë personazhi më i dashur në serialin e HBO, “Game of Thrones”.
Tashmë, tre vite pas përfundimit të produksionit, aktorja e Arya, Maisie Williams po vazhdon karrierën e saj dhe së fundmi ka dhënë një intervistë në të cilën nuk ka mundur t’i shmangë lotët, teksa flet për fëmijërinë e saj dhe abuzimin e babait.
“Si një fëmijë i vogël para moshës 8 vjeç, kisha një marrëdhënie traumatike me babanë tim,” rrëfeu ajo në podkastin “Diary of a CEO” nga Steven Barlett. “Dhe nuk dua të hyj shumë në këtë temë sepse prek vëllezërit, motrat dhe të gjithë familjen time. Por, kjo periudhë konsumoi shumë nga fëmijëria ime. Mbaj mend se kam patur gjithnjë vështirësi për të fjetur. Dhe shumë nga gjërat traumatike që po më ndodhnin, nuk e kuptoja se ishin gabim.”
Një mësues vuri re gjendjen e Maisie Williams
Williams zbuloi gjithashtu se një mësuese në shkollë, kur ishte tetë vjeç, vuri re se mund të kishte diçka që nuk shkonte tek ajo dhe e pyeti se çfarë po ndodhte.
“Ajo po më pyeste se ‘çfarë nuk shkon?’ ose ‘nëse kisha ngrënë mëngjes’. I thashë se nuk kisha asgjë dhe se ne ‘thjesht nuk hanim mëngjes’. Më pas, mami im erdhi në shkollë dhe më mori. Ishte hera e parë që diskutohej çdo gjë. Unë gjithsesi isha e bindur se asgjë nga ato që kishin ndodhur nuk ishin të gabuara dhe se thjesht po përpiqeshin të më largonin nga babai im. Kam qenë e indoktrinuar në një farë mënyre. Mendoj se kjo është arsyeja pse jam e fiksuar pas kulteve. Sepse e kuptoj. Isha pak a shumë në një kult fëmijësh.”
Përkundër faktit se ajo tani e ka pranuar se çfarë ndodhi dhe nuk fajëson veten, aktorja pranon se nuk ka qenë gjithmonë kështu.
“Të them të drejtën, kam menduar shumë për këtë. Nuk është për shkakun tim që këto gjëra kaq të këqija kanë ndodhur kur isha fëmijë. Më parë mendoja se isha unë fajtorja. Mendoja se diçka nuk shkonte me mua.”