Ministria e Punëve të Brendshme, që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla e ka dhënë një tender jo shumë të zakonshëm këto ditë. Ky institucion ka vendosur që të blejë shtretër, dyshekë, set çarçafësh, jastëkë, jorganë dhe peshqirë, duke shpenzuar mbi 200 mijë euro. Nuk janë dhënë arsyet për blerjen e tyre, vetëm se është thënë se furnizimi është urgjentë.
Nuk dihet arsyeja e blerjes së tyre. Nuk dihet as pse furnizimi duhet të bëhet në mënyrë urgjente, por disa shtretër, dyshekë, çarçafë, jastëkë, jorganë dhe peshqirë do të zëne vend në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla.
Për blerjen e tyre është dhënë edhe një tender në vlerë të 202 mijë e 680 eurove, shkruan Demokracia.com.
Kontrata për këtë furnizim është nënshkruar me kompaninë “Galanteria” nga Podujeva, që ka qenë e vetmja në garë.
Në fakt, ky tender është dhënë pa pasur fare konkurrencë, pasi MPB ka shmangur procedurat e prokurimit me ofertë të hapur, duke shkuar me procedurën e negocimit.
Krejt kjo punë ka përfunduar për vetëm tri ditë, shkruan Demokracia.com.
“Data e inicimit te aktivitetit te prokurimit: 16.08.2022. Data e hapjes se tenderëve: 17.08.2022. Data e publikimit te njoftimit te dhënies se kontratës: 19.08.2022. Numri i kërkesave për tërheqje te Dosjes se Tenderit: 1”, thuhet në njoftim.
Në dosjen e tenderit është treguar se me 202 mijë euro do të blihen mijëra shtretër dhe mijëra jorganë, jastëkë e çarçafë.
Është treguar edhe për kualitetin dhe dimensionet që duhet ta kenë këto produkte.
“Set çarçafësh për një person, përbërja 100% pambuk me kualitet të lartë, ngjyrë hiri ose krem e mbyllët ose kaltër e qeltë, çarçafë (220×160 cm), këllëf jastëku (70×50 cm), këllëf jorgani (220×160 cm). Komplet 1600 copë”. Jastëk, përbërja: 100% pambuk me kualitet të lartë – 70×50 cm, ngjyrë hiri ose krem e mbyllët ose kaltërt e qeltë. Copë 800 copë. Jorgan veror, përbërja; 100% pambuk – 210×160 cm, ngjyrë hiri ose krem e mbyllët ose kaltërt e qeltë. Copë 800. Jorgan dimëror, përbërja; 100% pambuk – 210×160 cm, ngjyrë hiri ose krem e mbyllët ose kaltërt e qeltë. Copë 800”, thuhet në dosje.
Po ashtu, janë porositur për t’u blerë edhe disa peshqirë të mëdhenj dhe të vegjël.
‘Peshqir i madh, përbërja 100% pambuk me kualitet të lartë me dim. 70cmx140cm, ngjyrë krem ose e bardhë. Copë 1600. Peshqir i vogël, përbërja 100% pambuk me kualitet të lartë, me dim. 50x90cm, ngjyrë krem ose e bardhë”. /Demokracia.com/