Në seancën e paraparë për të hënën ka munguar ministri Xhelal Sveçla për shkak të zhvillimeve të fundit në veri në vendit, në gjykimin ndaj tij dhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj, të akuzuar për veprime të dhunshme në protestën e 2013-ës.
Njoftimi për mos praninë e tij në seancë sipas gjykatësit Eroll Gashi është bërë përmes një shkrese të dërguar për gjykatën nga kabineti i Ministrit, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
‘‘Nuk prezanton Xhelal Sveçla, i cili po ashtu ka qenë i njoftuar përmes procesverbalit të datës 06.06.2022, ndërsa përmes shkresës të dërguar nga kabineti i ministrit – asistente ekzekutive Aulona Bytyqi, e njofton gjykatën se zotri Xhelal Sveçla e ka të pamundur të marr pjesë për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të vendit’’, ka thënë gjykatësi Gashi.
Në këtë seancë nuk kanë qenë të pranishëm Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Egzon Azemi dhe Pajtim Demaj, të cilët sipas gjykatësit Gashi, të njëjtit kanë qenë të ftuar përmes procesverbalit të 6 qershorit 2022, por që mungesën nuk e kanë arsyetuar.
Lidhur me mungesën e të akuzuarve Agron Kabashi dhe Afrim Hoxha, gjykatësi Gashi tha se gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo nga Stacionet Policore përkatëse nuk kanë ndonjë arsyetim për mos zbatim të urdhëresave.
Kurse, lidhur me mungesën e të akuzuarve Dardan Molliqaj, Frashër Krasniqi dhe Nol Nushi, gjykatësi Gashi tha se gjykata ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim dhe se nga Policia ka njoftime se kanë vepruar sipas urdhëresave por që nuk kanë mundur t’i realizojnë sipas adresave përkatëse.
Andaj, në këto rrethana, gjykatësi Gashi deklaroi se gjykata me vendim të veçantë do ta veçojë këtë procedurë penale sa i përket të pandehurve Dardan Molliqaj, Arsim Maqestena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi dhe Afrim Hoxha, për të cilët do të krijohet lëndë me numër të ri, ndërsa kjo çështje do të vazhdojë sa i përket të pandehurve Bekim Shkodra, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.
Në këto rrethana, pasi që u lexua aktakuza nga prokurori Besart Mustafa, të akuzuarit Shkodra, Avdiu dhe Qelaj u deklaruan lidhur me fajësinë.
I akuzuari Shkodra pranoi fajësinë për veprën penale ‘‘pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi’’, ndërsa u deklarua i pafajshëm për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Kurse, i akuzuari Avdiu nuk e ndjeu vetën fajtor për veprën penale që i vihet në barrë duke thënë se ai nuk ishte pjesëmarrës në këtë turmë e që sipas tij kjo dëshmohet edhe nga fotografitë ku ai nuk është prezent.
Në anën tjetër, i akuzuari Qelaj pranoi fajësinë për veprën penale ‘‘pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi’’.
Me pranimin e fajësisë të bërë nga të akuzuarit Shkodra dhe Qelaj u pajtua edhe prokurori Mustafa dhe u aprovuar nga gjykatësi Gashi i cili tha se ndaj tyre do të veçohet sërish procedura dhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet 2 gusht 2022.
Ndërkaq, lidhur me të akuzuarin Avdiu për veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi dhe për të akuzuarin Shkodra për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, gjykatësi Gashi njoftoi palët për afatin 30 ditor për të drejtën e paraqitjes së kundërshtimit të provave dhe kërkesës për hudhje të aktakuzës.
Ndryshe, edhe seancat e caktuara më 10 gusht 2021 dhe ajo e 3 shkurtit 2022, kishin dështuar të mbaheshin në mungesë të disa prej të akuzuarve.
Ata po akuzohen se në protestën e organizuar më 27 qershor 2013, kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera qelqi, shishe e mjete piroteknike kundrejt disa zyrtarëve policorë, ku si pasojë lëndime të lehta kanë pësuar katër policë dhe janë dëmtuar katër vetura zyrtare.
I akuzuari Bekim Shkodra po akuzohet edhe për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars 2014, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj po akuzohen se më 27 qershor 2013 në rrugën “Nëna Terezë” në Prishtinë, gjatë protestës me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprime të dhunshme huligane.
Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Sveçla dhe të akuzuarit e tjerë ngarkohen se gjatë kësaj proteste kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku si pasojë e këtyre veprimeve, lëndime të lehta trupore kanë pësuar policët-të dëmtuarit Rifat Geci, Halil Syla, Agim Xheli dhe Bashkim Hyseni.
Sipas prokurorisë, gjatë kësaj proteste janë shkaktuar edhe dëme materiale ku janë dëmtuar uniformat dhe pajisjet zyrtare të zyrtarëve policorë gjatë ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike e po ashtu i kanë dëmtuar dy vetura, pronë e Qeverisë së Kosovës dhe dy vetura pronë të Policisë së Kosovës, duke shkaktuar kështu pasoja të rënda.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal, vepër kjo për të cilën dënimi parashihet me dënimi me gjobë prej 200 deri 10 mijë euro për huliganizëm me pasoja të vogla ose me burgim deri në pesë 5 vjet burgim për huliganizëm me pasoja të rënda.
Ndërsa dispozitivi i dytë i kësaj aktakuze, Bekim Shkodrën e ngarkon edhe për veprën penale të “Sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo për të cilën kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.