Një Xhami në qytetin e Berlinit ka befasuar të gjithë me veprimin e tyre.
Ata kanë shpalosur flamurin e komunitetit LGBTI+ përpara Paradës së Krenarisë, duke treguar se përkrah këtë komunitet, shkruan Neutral.al.
Xhamia Ibn Rushd-Goethe në lagjen qendrore Moabit shpalosi një flamur përpara lutjeve të së premtes ku ishin mbledhur një numër i vogël i besimtarëve.
Aty ishte edhe senatori i Berlinit për kulturën, Klaus Lederer. Të pranishmit mbanin afishe me ngjyrë ylberi ku shkruhej “Dashuria është hallall (e lejuar)”. Xhamia, e themeluar pesë vjet më parë, është e vetmja xhami e vetëshpallur liberale në Gjermani dhe lejon burrat dhe gratë të luten së bashku, dhe është gjithashtu e hapur për besimtarët LGBTI+, raporton dë.
Mo El-Ketab, një nga gjashtë imamët në xhami, tha se ai dëshiron që xhamia të sigurojë “një vend të sigurt për njerëzit që janë të ndryshëm, në mënyrë që edhe ata të mund të përjetojnë anën shpirtërore të jetës së tyre. Shpresoj që shumë xhami të tjera ta shfaqin flamurin në këtë mënyrë ose të vendosin shenja të tjera pozitive për komunitetin LGBTI+”.
“Ne nuk duhet të flasim vetëm për hapësira të sigurta në bare dhe klube në Berlin, duhet të flasim edhe për hapësira të sigurta në ndërtesat fetare”, shtoi ai.
Këtë muaj, Berlini do të presë dy ngjarje të mëdha në mbështetje të komunitetit LGBTi+ dhe Festivalin e Lezbikeve dhe Homoseksualëve më 16 dhe 17 korrik dhe Paradën e Krenarisë së Berlinit e njohur si Dita e Rrugës së Kristoforit (CSD) më 23 korrik.