Xhaka: Ka shumë shqiptarë që luajnë për kombëtare tjera – kjo gjë është pozitive

Granit Xhaka, në konferencën për media bashkë me përzgjedhësin e Zvicrës, Murat Yakin, është përballur me pyetje nga gazetarë shqiptarë.

Siç është pritur, pyetjet kanë qenë kryesisht në lidhje me prejardhjen e tij, me përfaqësimin e tij dhe me Kosovën.

Xhaka, që është edhe kapiten i kombëtares zvicerane, ka thënë se ndihet i lumtur që është në Kosovë. “E njohim mirë ekipin e Kosovës dhe jemi përgatitur mirë”, tha ai, raporton Klankosova.tv.

I pyetur në lidhje me përfaqësimin e kombëtareve tjera të lojtarëve shqiptarë, ai tha se kjo është gjë pozitive.

“Jo vetëm se kemi një kombëtare, por ndoshta i kemi 3-4, sepse kemi shumë shqiptarë që luajnë në kombëtare tjera. Por, gjithkush duhet të vendosë për veten, dhe e kam të vështirë të jap një përgjigje të mirë”, tha Xhaka.

Gazetari i Art Motion, Arlind Sadiku, e pyeti nëse i ka ndodhur ndonjëherë që t’i ketë familjarët në konferencë për media para ndonjë ndeshjeje.

Ai tha se kjo s’i ka ndodhur kurrë më parë.

“Jo, s’ka ndodhur kurrë, por ju e dini se unë e ndiej veten si në shtëpi këtu. Atë respekt që na jepni ju, mundohemi edhe ne të ua japim juve. Edhe pse jam nesër me fanellën tjetër, besoj se do t’ju bëj edhe juve të lumtur”, deklaroi Xhaka.

Kombëtarja e Kosovës të shtunën do të përballet në shtëpi me Zvicrën. Ndeshja do të zhvillohet nga ora 20:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *