Xavi paralajmëron ndryshime, por i bën edhe autokritikë skuadrës

Barcelona do të përballet në udhëtim te Shakhtar Donetsk në kuadër të xhiros së katërt në grupet e Ligës së Kampionëve.

Trajneri i katalunasve, Xavi Hernandez ka thënë se për këtë ndeshje do të bëjë disa ndryshime në formacionin bazë.

Tekniku katalunas nuk ngurroi të jap autokritikë për skuadrën për ndeshjen ndaj Real Sociedad të cilën e fituan në minutën e fundit.

“Nuk zhvilluam një ndeshje të mirë kundër Real Sociedadit. Ata luajtën me më shumë intensitet, por ne morëm 3 pikë kundër një ekipi të madh.

“Sigurisht që do të ketë rotacion për shkak të lodhjes, goditjeve të marra, shqetësimeve të shumta fizike. Kemi nëntë pikë nga nëntë të mundshme, praktikisht një ecuri e deritanishme ideale, duhet të konfirmojmë veten. Nuk duhet të lëmë të na ikë mundësia”, tha Xavi.

Krejt në fund ai foli edhe për qëllimin që ka me Barcelonën e tij.

“Ne duhet të rikuperojmë një nivel të caktuar. Identiteti ynë është të përpiqemi të imponohemi, të dominojmë, të rikuperojmë topin me presion të lartë”.

“Projekti im është në gjysmë të rrugës, ne duhet të jemi një Barcelonë e madhe, që garon në Evropë dhe dominon në Spanjë. Filmi perfekt është të luash mirë dhe të fitosh”, deklaroi Xavi Hernandez. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *