Një pronë në fshatin Sllatinë të komunës së Vushtrrisë është bërë sebep që një 34-vjeçar të ketë telashe me disa persona, të cilët tentuan ta sulmojnë fizikisht, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se 34-vjeçari ka blerë pronën nga një serb lokal, por që sipas tij atij po i mohohet e drejta që ta gëzojë atë nga Sh.F., i cili po e pengon. Për këtë ai ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të parandaluar konfliktin.
Por 34-vjeçarin në ndihmë nuk i doli vetëm Policia, pasi që në vendin e ngjarjes shkoi edhe një familjar i tij, i cili u nis ta sulmojë të dyshuarin që po bën telashe lidhur me tokën. Ai u ndal nga policët, me ç’rast u prangos menjëherë.
E në gjithë ngjarjen u përfshi edhe një mërgimtar, që shkoi të qërojë hesapet me 34-vjeçarin dhe t’i dalë në krah të dyshuarit Sh.F.. Policia edhe me të veproi njëjtë si me familjarin e ankuesit, duke e arrestuar në vend, në mënyrë që të parandalohet ndonjë përleshje eventuale. Por që për të vënë nën kontroll mërgimtarin nga Gjermania, policët u desh të përdorin sprej OC.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se njësitet policore, të gjendur përballë situatës që dukej se nuk do të shpëtonte pa ndonjë incident të mundshëm, arrestuan të gjithë personat e përfshirë në rast.
Ata më pas kanë kryer kontrolle edhe në veturat e palëve, ku te njëri prej të dyshuarve kanë gjetur një thikë e cila është konfiskuar.
Me vendim të prokurorit rasti është iniciuar si ‘Sulm’.