Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka prezantuar të mërkurën një sistem rus për mbrojtje ndaj dronëve, të quajtur Repellent, të cilin Serbia e bleu kohë më parë nga aleatja e vet, Rusia.
Ky sistem ka për qëllim pengimin e kontrollit të dronëve dhe e mbulon një sipërfaqe prej 30 kilometrash, u tha gjatë shfaqjes së armëve dhe pajisjeve ushtarake në qytetin jugor të Serbisë, Nish, gjatë një feste Kombëtare të Serbisë.Në fund të janarit, Vuçiqi paralajmëroi për prezantimin e një sistemi të tillë antidron, por ai nuk tregoi se kur e mori Serbia saktësisht sistemin e ri, përveç se shtoi se “Serbia ka paguar për të shumë kohë më parë”.Më 14 shkurt, gjatë shfaqjes së armëve në Nish, lideri serb paralajmëroi për investime shtesë në pajisje për Forcat e Armatosura të Serbisë, posaçërisht në artileri.
Ai tha se 300 milionë euro janë duke u investuar në prodhimet e industrisë vendore.
Vuçiq njoftoi gjithashtu se dronë shtesë, CH-95, do të blihen nga Kina, njoftoi agjencia e lajmeve Beta.
Për shkak të bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën në fushën e mbrojtjes, Serbia, si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), është kritikuar vazhdimisht nga Brukseli.
Ajo ka blerë vazhdimisht pajisje ushtarake dhe armë nga Rusia prej vitit 2016.
Megjithatë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, asnjë kontratë e re për prokurimin e armëve nuk është lidhur. Vuçiq deklaroi në mesin e shtatorit 2022 se një pjesë e dërgesave të mëparshme nuk kishin mbërritur për shkak të luftës në Ukrainë.
Në mesin e atyre dërgesave të mëparshme, në atë kohë u përmend edhe sistemi antidron, Repellent.
Për shkak të pushtimit të Ukrainës, Rusia është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera perëndimore.
Serbia refuzon t’i respektojë këto sanksione.