Vuçiq: Themelimi i Asociacionit kusht për kthim në institucione

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Prishtina dy ditë më parë kishte, siç tha ai, një “marrëveshje më të mirë” në tavolinë sesa ajo që u arrit për targat për Kosovën, por që Prishtina ka pasur një vlerësim të gabuar, si dhe se më e rëndësishmja për të është se marrëveshja parasheh përmbushjen e marrëveshjeve të mëparshme.

Sipas Vuçiqit për kthimin e serbëve në institucione me marrëveshjen e djeshme është përmbushur kushti i parë.

“Nuk ka mbledhje të parave të prapambetura, grabitje makinash. Tani mbetet kushti i dytë, formimi i një bashkësie të komunave serbe”, tha Vuçiq.

Por, Vuçiq nuk ndalon me kaq. Ai paralajmëron edhe synime të tjera në raport me Kosovën.

“Kur të formohet bashkësia e komunave serbe, atëherë do të shkojmë në diçka tjetër”, tha ai.

Kur bëhet fjalë për planet e diskutuara në bashkësinë ndërkombëtare, Vuçiq tha:

“Unë u thashë atyre, ju morët përgjigjen tonë për non-paper-in tuaj, në formën e një non-paper, dhe ju morët përgjigjen time verbale në Bruksel se cilat janë vijat tona të kuqe dhe për çfarë nuk do të flas fare. Ndërprisni negociatat, pra ndaloni menjëherë, a mendoni se dikush serioz në botë mund të mburret se i ka ndërprerë bisedimet dhe negociatat, pra si do t’i zgjidhni problemet, këtu po themi, nuk e duam Kosovën në OKB dhe çfarë do të bëni, na bombardoni dhe na kërcënoni me sanksione, në bazë të cilit akt, kur e gjithë korniza juridike ndërkombëtare është në favor të Serbisë”, theksoi presidenti Vuçiq.

Ai shtoi se është i vetëdijshëm për situatën e komplikuar që i pret. Ndryshe, ai e pranoi se përfaqësuesit evropianë, por edhe ata amerikanë, ishin shumë racionalë në marrëdhëniet e tyre.

Ndryshe, së fundmi kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel, arritën pajtim që Serbia të mos japë më targa me emërtimet e qyteteve të Kosovës, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk do të vazhdojë detyrimin për riregjistrimin e veturave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *